Bumi i energjisë diellore, nga po vijnë panelet? – Në 2017 importet kapën vlerën 110 milionë euro
Sektori i energjisë së rinovueshme ka marrë një vëmendje të veçantë në Shqipëri, duke nxitur interesin e investitorëve dhe sipërmarrësve vendas e të huaj. Gjatë vitit 2017, miratimi i skemës së subvencioneve për prodhimin e energjisë nga dielli dhe era, bëri që të “shpërthejnë” aplikimet për centrale fotovoltaike.
Ndërkohë që projektet e para në këtë fushë po nisin të konkretizohen dhe gjithmonë e më tepër shtëpi e biznesi po zgjedhin të instalojnë panele diellore, mes sipërmarrësve ka nisur “lufta” për furnizimin e këtij hovi energjetik.
SCAN ka zbuluar, duke analizuar të dhënat zyrtare të Bashkimit Europian, partnerit kryesor tregtar për vendin, se vitin e kaluar pati një bum të importeve për pajisje gjysmëpërcjelljëse fotosensitive, përfshirë edhe qelizat fotovoltaike.
Vlera totale e importeve për këtë grup mallrash arrin në 110.6 milionë euro, nga ku 63,8 milionë euro janë importuar vetëm gjatë periudhës Qershor-Shtator 2017.
Ndonëse në dukje kjo është një shifër shumë e lartë, ajo është në përputhje me kërkesat aktuale të tregut. Kujtojmë që vetëm për 10 aplikimet e publikuara nga MIE gjatë muajit tetor, vlera e investimeve arrinte në 23.2 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave do të shkojë pikërisht për blerjen e paneleve fotovoltaike.
Sa i takon vendeve të origjinës të këtyre mallrave, dominojnë Italia me 37.6 milionë euro dhe Gjermania me 27.7 milionë euro.
Burimi: Eurostat
Ndërkohë, të dhënat e institutit të statistikave të Gjermanisë flasin për dyfishim të eksporteve nga viti në vit drejt Shqipërisë për makineri për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike. Makineri të tilla përfshijnë edhe turbinat e hidrocentraleve, për të cilat interesi në vend nuk ka shfaqur aspak rënie.
Harta e mëposhtme tregon pozicionin e projekteve në fushën e energjisë, për të cilat kanë mbërritur aplikime pranë Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës.
Angelo Haruni/SCAN
Source: Bumi i energjisë diellore, nga po vijnë panelet? – Në 2017 importet kapën vlerën 110 milionë euro
Shënim: Autorësia dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorit te tyre. Ndërsa të gjitha përpjekjet janë bërë nga ESCo Adriatik për të siguruar saktësinë e këtij publikimi, ai nuk ka për qëllim të ofrojë këshilla ligjore pasi që situatat individuale mund të ndryshojnë dhe duhet të diskutohen me një ekspert dhe/ose avokat. Për çdo këshillë specifike teknike ose ligjore, informacioni i ofruar dhe tema të tjera, mund të kontaktoni përmes “lorenc.gordani@euroelektra.al”.
Most Read Publications
Most Visit Sections