Ja ku do të ndërtohet Termocentrali Kosova e Re

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka përmes faqes së tij zyrtare në Facebook ka treguar në detaje se ku do të ndërtohet Termocentrali Kosova e Re.

Tutje ai ka përmendur disa kritere të cilat janë përdorur gjatë përzgjedhjes së lokacionit për ndërtimin e termocentralin të ri.

“Përfundimisht lokacioni i përzgjedhur për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re është pranë TC Kosova B. Lokacioni është një fushë industriale që gjendet përafërsisht 1.5 kilometra në perëndim të Obiliqit dhe 9 kilometra në perëndim të Prishtinës”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i ministrit Lluka:

Ashtu siç kemi premtuar si Ministri e Zhvillimit Ekonomik, po fillojmë të shpalosim një e nga një temat më kyçe të dala nga marrëveshjet e nënshkruara mes Qeverisë së Kosovës, ndërmarrjeve publike në Kosovë (KEK, KOSTT, Ibër-Lepenci) dhe ContourGlobal – investitorit për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.

Sot do ta trajtoj Marrëveshjen për Bartjen e Lokacionit (ang. Site Transfer Agreement), të cilën mund ta shkarkoni këtu. https://goo.gl/6Wjte5

Dua të filloj me një përmbledhje mbi përzgjedhjen e lokacionit. Një studim i para-fizibilitetit, i realizuar në vitin 2006 i financuar nga Bashkimi Evropian kishte identifikuar tri lokacione për ndërtimin e termocentralit të ri: pranë TC Kosova B, në Bivolak dhe në Grabovc të Poshtëm. Në fillim të vitit 2007 u shtua edhe një lokacion i mundshëm pranë TC Kosova A, duke zëvendësuar atë në Grabovc të Poshtëm.

Mirëpo, si rrjedhojë e debatit publik në kuadër të Vlerësimit Strategjik Mjedisor dhe Social (VSMS), lokacioni pranë TC Kosova A doli të jetë i papërshtatshëm. Edhe shoqëria civile në atë kohë doli me rekomandim që lokacioni pranë TC Kosova B të shfrytëzohet për ndërtimin e blloqeve të reja, si vazhdimësi e blloqeve B1, dhe B2.

Këto janë kriteret e përdorura gjatë përzgjedhjes së lokacionit për ndërtimin e termocentralin të ri:

– të jetë i përcaktuar si zonë për aktivitete industriale, ose zonë e mëhershme industriale (ang. brown-field);

– sipërfaqe toke e pashfrytëzuar ose që mund të lirohet lehtë;

– topografi relativisht e rrafshët me kushte të pranueshme gjeo-teknike, zonë me intensitet jo të lartë sizmik, dhe pa rrezik të vërshimit;

– të jetë në kahun tjetër të erës nga qendrat e populluara dhe jo në afërsi të qendrave të banimit;

– të jetë larg parqeve natyrore, habitateve të mbrojtura, dhe zonave arkeologjike;

– të mos ketë dukshmëri të lartë duke ndikuar negativisht në peizazh;

– të jetë sa më afër infrastrukturës ekzistuese energjetike, infrastrukturës të furnizimit me ujë dhe të furnizimit me lëndë djegëse;

– të ketë qasje të lehtë në infrastrukturë të transportit rrugorë dhe hekurudhor;

– lokacion me pronësi që eviton nevojën për shpronësime dhe zhvendosje eventuale; dhe

– të ketë vlerësim të kënaqshëm ekonomik.

Përfundimisht lokacioni i përzgjedhur për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re është pranë TC Kosova B. Lokacioni është një fushë industriale që gjendet përafërsisht 1.5 kilometra në perëndim të Obiliqit dhe 9 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Vlen të përmendet se në kohën kur është ndërtuar TC Kosova B, ky lokacion ishte përzgjedhur si i përshtatshëm për ndërtimin e kapaciteteve të reja deri 2000 MW. Prandaj, janë bërë investime përkatëse në kanalin e furnizimit me ujë (kanali i Ibër-Lepencit), infrastrukturën e transportit, dhe rrjetin e transmisionit (nënstacioni 400/220 KOSTT, pranë TC Kosova B).

Lokacioni i përzgjedhur do të shfrytëzojë plotësisht infrastrukturën energjetike ekzistuese përfshirë deponinë e qymyrit, që rezulton me kosto më të ulët të ndërtimit dhe përfundimisht reflektohet me çmim më të vogël të energjisë.

Marrëveshja për bartjen e lokacionit rregullon marrëdhëniet mes ContourGlobal dhe KEK Sh.a. ku lënda e marrëveshjes është (1) shitja dhe bartja e lokacionit ku do të ndërtohet Termocentrali Kosova e Re, (2) qasja në tokë shtesë gjatë fazës së ndërtimit, si dhe (3) lejimi i kalimit të infrastrukturës përcjellëse të TC Kosova e Re nëpër pronë të KEK-ut, si p.sh. infrastruktura e furnizimit me ujë nga kanali i Ibër-Lepencit apo transportit të hirit dhe gjipsit në deponitë e përkufizuara në zonat e shfrytëzuara të mihjes së linjitit.

Pronar i vetëm i tokës ku do të ndërtohet termocentrali Kosova e Re është Korporata Energjetike e Kosovës Sh.a., (pronë e shtetit) dhe nuk ka asnjë parcelë private që të ketë nevojë për shpronësim.

Çmimi i shitjes së tokës ku do të ndërtohet termocentrali Kosova e Re është caktuar vetëm si vlerë simbolike, pra 10 Euro në tërësi, dhe kjo është bërë për shkak se lokacioni së bashku me termocentralin Kosova e Re do të transferohen në pronësi të shtetit pas 20 viteve dhe pa asnjë kosto.

Kalimi i pronës nga KEK tek ContourGlobal pritet të bëhet në të njëjtën ditë me arritjen e përmbylljes financiare. Kjo bëhet vetëm atëherë kur investitori i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta për projektin – siç është përzgjedhja e kompanisë ndërtuese, ofrimi i garancive përkatëse, sigurimi i plotë (100%) i financimit në formë të kontributit të ekuitetit dhe i kredive nga huadhënësit, marrja e të gjitha lejeve dhe pëlqimeve përkatëse etj. E nga ana tjetër, edhe kur Qeveria e Kosovës t’i ketë përmbushur të gjitha obligimet e veta në kuadër të pakos së marrëveshjeve të projektit.

Lokacioni ku do të ndërtohet termocentrali Kosova e Re në asnjë mënyrë nuk do të ndikojë në operimin e rregullt të TC Kosova B. Për më tepër, mes dy termocentraleve është lënë hapësirë e mjaftueshme për zgjerimin eventual të kapaciteteve të TC Kosova B, nëse kjo do të jetë opsion në të ardhmen.

Me lejoni t’ju informojë se gjatë muajve të ardhshëm, Qeveria e Kosovës është zotuar për disa studime teknike shtesë për lokacionin, të dhëna të cilat do të përdoren në përgatitjen e tenderit për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.

Përfundim:

TC Kosova e Re do të ndërtohet në afërsi të TC Kosova B me qëllim të shfrytëzimit të infrastrukturës ekzistuese e që do të rezulton me çmim më të ulët të ndërtimit / çmimit të energjisë;

I tërë lokacioni është në pronësi të KEK Sh.a. dhe shmang nevojën për shpronësime;

Çmimi i caktuar është simbolik, duke marr parasysh se lokacioni me gjithë termocentralin Kosova e Re bartet në pronësi të Qeverisë së Kosovës pas 20 viteve;

Lokacioni nuk bartet para se investitori të përmbushë të gjitha obligimet që rrjedhin nga marrëveshjet komerciale, d.m.th. deri në datën e përmbylljes financiare;

Lokacioni i përzgjedhur nuk kufizon operimin e rregullt të TC Kosova B, nuk pengon implementimin e aktiviteteve për rehabilitimin e TC Kosova B dhe nuk kufizon zgjerimin eventual të kapaciteteve të TC Kosova B.

The post Ja ku do të ndërtohet Termocentrali Kosova e Re appeared first on Revista Monitor.

Source: Ja ku do të ndërtohet Termocentrali Kosova e Re

Disclaimer: The authorship and the opinion expressed pertain to their authors. While all the effort are made by Esc Adriatic to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations may differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For any specific technical or legal advice on the information provided and related topics, contact us through “esco@albaniaenergy.org”.

Most Read Publications

No post found

Most Visit Sections