Koncesionet për HEC-et – Pas 3 muajsh, nis diskutimi i projektligjit për shpejtimin e procedurave
Të hënën Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese do të nisë shqyrtimin e projektligjit “Për koncesionet dhe partneritetit publik-privat”, i cili i hap rrugën përshpejtimit të procedurave për dhënien e koncesioneve të HEC-eve. Projektligji është depozituar në Kuvend që në datën 2 nëntor, por nisja e diskutimeve duket se kërkoi mbi 3 muaj kohë.
Ndërkaq, referuar ndryshimeve parashikohet që ndërtimi dhe shfrytëzimit i burimeve të energjisë së rinovueshme me kapacitet të instaluar mbi 2MW,të cilat kanë vlerë investimi mbi 100 milionë euro të përjashtohen nga procedurat aktuale të dhënies me koncesion apo partneritetit publik-privat. Sipas relacionit shoqërues, në këtë kategori mund të shqyrtohen në mënyrë specifike ndërtimi i kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike nga hidrocentralet apo termocentralet, ndryshe nga legjislacioni aktual, i cili për HEC-et me kapacitet të instaluar mbi 2 MW, kërkonte zbatimin e procedurave së dhënies me koncesion.
Sipas relacionit, sektori energjetik shqiptar aktualisht ka nevojë për ndërtimin e objekteve të reja gjeneruese, me qëllim rritjen e prodhimit të energjisë, por kuadri ligjor aktual parashikon procedura të zgjatura për miratimin e kontratës. Gjithashtu, në dokument thuhet se ky përjashtim do të mundësojë thithjen e investimeve strategjike të huaja dhe atyre vendase, pasi deri më tani, shumë investitorë që kanë patur interes për të investuar në sektorin elektroenergjetik, janë tërhequr pas konstatimit se kuadri ynë ligjor për koncesionet dhe PPP-të kërkon një kohë të gjatë prej më shumë se dy vjetësh, për finalizimin e kontratës koncesionare.
Ola Mitre/SCAN
Source: Koncesionet për HEC-et – Pas 3 muajsh, nis diskutimi i projektligjit për shpejtimin e procedurave
Disclaimer: The authorship and the opinion expressed pertain to their authors. While all the effort are made by Esc Adriatic to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations may differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For any specific technical or legal advice on the information provided and related topics, contact us through “esco@albaniaenergy.org”.