KESH ble 7.2 milionë euro energji për shtatorin, me kredinë e Bankës Botërore, Revista Monitor, 27 Gusht 2017
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka njoftuar se ka përfunduar procesi i blerjes së energjisë elektrike për muajin shtator, për të cilën u përdor një pjesë e kredisë së dhënë nga Banka Botërore.
Korporata njoftoi se ka blere gjithsej 115,200 MWh sasi të energjisë elektrike ose kapacitetin 160 MW me një çmim/njësi mesatar prej 62.33 Euro/MWh. Shuma totale e shpenzuar është 7.18 milionë euro.
Banka Botërore zhbllokoi së fundmi një pjesë të kredisë për rimëbëkmbjen e energjisë, prej 22.4 milionë euro, që mund të përdorej për nevoja emergjence, çka i mundësoi KESH-it të hapë procedurat për blerjen e energjisë për muajin shtator, teksa si rrjedhojë e thatësirës, korporata e ka të pamundur të prodhojë energji nga HEC-et e veta.
Krahas, KESH, edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka hapur tender për blerjen e energjisë dhe të dy institucionet pritet të plotësojnë nevojat e muajit shtator.
Deri tani, OSHEE ka përdorur fondet e veta, por nëse situata vazhdon do të detyrohet të preket dhe buxheti, teksa ndryshimet e fundit rritën fondet buxhetore rezervë në dispozicion të energjisë.
Totali i importeve ka kaluar për korrik dhe gusht mbi 50 milionë euro.
Fituesit e tenderit
KESH njoftoi se ofertat u hapën në 22 gusht, ku nga 28 kompani të ftuara 10 paraqitën oferta, konkretisht si më poshtë vijon:
GEN-I Tirana shpk
EFT AG
GSA sh.p.k
Future Energy AL
DEVOLL Hydropower sh.a.
AYEN Energy Trading sh.a.
NOA Energy Trade sh.p.k
A & A Group sh.p.k
HSE doo
Axpo doo Beograd
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave renditi ofertat duke nisur nga çmimet/njësi më të ulëta dhe kapacitetet përkatëse deri në sasinë e kërkuar nga KESH sh.a. dhe i dërgoi Bankës Botërore Raportin e Vlerësimit të Ofertave për dhënien e miratimit/”no objection”, sipas përcaktimeve të bëra në Manualin e Operimit.
Në datën 24 Gusht 2017, Banka Botërore dërgoi miratimin e saj/”no objection” në lidhje me Raportin e Vlerësimit të Ofertave të blerjes së energjisë elektrike nga KESH sh.a.-ja për periudhën kohore 01-30 Shtator 2017, prej nga KESH sh.a. vijoi me njoftimin e 7 shoqërive fituese.
Sasia më e madhe e energjisë u ble nga GEN-I, që ofroi dhe çmimin më të lirë prej 59.9 euro për MWH në total, gati 3 mln euro dhe kompania e dytë ishte GSA, nga e cila KESH bleu 1.85 mln euro. Nga kompanitë e tjera shuma ishte nën 450 mijë euro.
Disclaimer: The consultation of this article can be made through its original source. The authorship and the opinion expressed pertain to their authors. While all the effort are made by Esc Adriatic to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations may differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For any specific technical or legal advice on the information provided and related topics, contact us through “info@albaniaenergy.org”.