Energjia diellore, potenciali i pashfrytëzuar i Europës, Top Channel, 10 Gusht 2017
Përfitimi i Evropës nga energjia diellore është fatkeqësisht i pakët, madje edhe në rajonet jugore të saj, që i gëzohen më gjatë diellit.
Ndërsa pjesë të kontinentit janë përballur me një valë të rrezikshme të nxehti, thatësira dhe zjarre në pyje, shifrat tregojnë një entuziazëm të pakët për burimet e energjisë diellore.
Sektori në Europë, i dominuar nga vetëm 3 vende, është rritur vitin e shkuar me ritmet më të ulëta të tij për rreth një dekadë, në kontrast të dukshëm me Kinën.
Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe kanë rreth 71.5 gigavat energji diellore, rreth 3/4-tat e të gjithë kapacitetit në Europë. Por Spanja e Portugalia, kryeqytetet e të cilave i gëzohen rreth 1.000 orëve më shumë diell në vit, krahasuar me Berlinin dhe Londrën, kanë instaluar mes tyre vetëm 6 gigavatë.
Pikërisht te kjo kontradiktë janë ndalur ekspertët, sipas të cilëve kjo nuk është logjike dhe se mund të ketë grupe interesi që po sabotojnë lulëzimin dhe shfrytëzimin e potencialit diellor.
Nëse Evropa shihet në tërësi, ajo ka një potencial të jashtëzakonshëm të prodhimit të energjisë diellore, që do të zëvendësonte plotësisht qymyrin apo centralet bërthamore. Kjo do të çonte në mbylljen e shumë impianteve, ndaj dhe mund të kuptohet rezistenca dhe përpjekjet për sabotim.
Sidoqoftë, ekspertët apelojnë që vendet të hapin tregjet e tyre për qytetarët. Çmimi i sistemeve diellore po shënon rënie, duke e bërë atë një propozim tërheqës për konsumatorët, të cilët në këtë mënyrë do të kursenin në faturat e energjisë, e madje edhe do të mund të fitonin duke i shitur energji rrjetit.
Bashkimi Europian është angazhuar të prodhojë 20 për qind të energjisë nga burime të rinovueshme deri në vitin 2020. Kjo shifër në vitin 2015, sipas të dhënave të Eurostatit ishte 16.7 për qind.
Disclaimer: While every effort has been made to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations will differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For specific technical or legal advice on the information provided and related topics, please contact the author at the “info@albaniaenergy.org”.