Këshilli Kombëtar i Ujit: 410 diga rezervuarësh kërkojnë ndërhyrje urgjente, Revista Monitor, 09 Gusht 2017
Këshilli Kombëtar i Ujit ka bërë së fundmi një analizë për gjendjen e sigurisë së digave, duke kërkuar ndërhyrje urgjente në 65% të tyre.
Nga vlerësimet e bëra për gjendjen teknike të 626 digave, rezulton se 410 (ose 65% e numrit të përgjithshëm), paraqesin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë vëmendje urgjente si për sa i takon sigurisë së digave, ashtu edhe volumit të disponueshëm të ujit në rezervuarë.
Analiza tregon se, në 27% të tyre ka dëmtime në trupin e digës, 29% dëmtime të shkarkuesit katastrofik, 30% dëmtime të ujëlëshuesit, 14% dëmtime njëkohësisht të trupit të digës dhe shkarkuesit katastrofik/ujëlëshuesit.
Në total, kapaciteti ujor i rezervuarëve është zvogëluar me rreth 45%. Këshilli Kombëtar i Ujit thotë se, kjo për faktin se cikli i jetëgjatësisë së tyre është në përfundim dhe kupat e rezervuarëve janë mbushur me aluvione. Kapaciteti ujor i projektuar për të 626 rezervuarët ka qenë 560 milionë m³ ujë, ndërsa kapaciteti total aktual shkon në rreth 300 milion m³ për sezon ujitjeje.
Ekspertët rekomandojnë abandonimin e rreth 70 digave me rrezik shembje, të cilat kanë humbur funksionin e përdorimit dhe nuk e justifikojnë koston e rehabilitimit.
Objektivat kryesore për digat dhe rezervuarët, për t’u arritur brenda një periudhe 10 – 15 vjeçare, janë largimi i mbetjeve nga kupat e rezervuarëve për ta rritur kapacitetin aktual nga 45% në 90% të atij të projektuar dhe ndërtimi i rezervuarëve të rinj aty ku mund të ndërtohen dhe shfrytëzohen në mënyrë të sigurt.
Ekspertët thonë se është e domosdoshme rritja e kapacitetit të rezervuarëve për të plotësuar me ujë sipërfaqen potencialisht të ujitshme dhe efektin e ndryshimeve të pritshme klimatike.
Disclaimer: While every effort has been made to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations will differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For specific technical or legal advice on the information provided and related topics, please contact the author at the “info@albaniaenergy.org”.