Informacion mbi Tregtimin e Energjisë Elektrike, Njoftim për shtyp, 3 Korrik 2017
Niveli i Fierzës në fund të muajit Prill, periudhë kur dhe krijohet rezerva energjetike, paraqitej në 278.6 m ose rreth 16 m më i ulët se sa niveli në të njëjtën periudhë të 2016 ose 10 m më i ulët se niveli për të njëjtën periudhë të 5 viteve të fundit. Rezerva energjetike në rezervuarin e Fierzës për muajin Prill 2017 paraqitej me një defiçit prej rreth 700 GWh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Si rrjedhojë e situatës OSHEE realizoi blerje energjie nga importi në Maj në masën e 173 269 MWh. OSHEE gjatë drejtimit nga administratori teknik ndërpreu importin e energjisë përgjatë gjithë muajit Qershor, ndonëse do duhej të vazhdonte importin për të mos u sforcuar KESH-i me Kaskadën. Pas insistimit të vazhdueshëm dhe zyrtar nga KESH-i dhe Ministria e Energjisë, administrator teknik vendosi të kontraktojë vetëm për tre ditët e fundit të Qershorit dhe për muajin Korrik import në masën e 285 600 MWh. Rrjedhimisht, gjatë gjithë Qershorit, vendi u furnizua me energji elektrike duke përdorur prodhimin e sforcuar të Kaskadës së Drinit nga KESH-i çka çoi edhe në uljen e ndjeshme të nivelit në Fierzë.
Aktualisht, niveli i liqenit të Fierzës ka zbritur në 272 m ndërsa prurjet janë tejet të ulëta. KESH-i tashmë prodhon për nevojat e OSHEE-së vetëm duke shfrytëzuar sasinë e prurjeve natyrale, me synim të mos ulë më tej nivelin e Kaskadës.
Për shkak të rritjes së konsumit, nisur edhe nga temperaturat e larta atmosferike, OSHEE është detyruar që të shtojë sasinë e importit të energjisë, me synim garantimin e furnizimit të konsumatorëve. Përtej sasisë së kontraktuar në fund të periudhës së drejtimit nga administratori teknik, OSHEE ka hapur procedurën edhe për një sasi shtesë të energjisë nga importi për muajin Korrik në masën 112 000 MWh. Kryeja e importeve në kushtet e thatësirës së tejzgjatur dhe nivelit të ulët të Kaskadës që pamundëson mbulimin e ngarkesës së pikut, bën që edhe çmimet e importit të jenë të pafavorshme për OSHEE-në.
OSHEE, po shfrytëzon kështu fondet e saja për të garantuar mbulimin me energji të konsumatorëve në kushtet kur KESH-i nuk mund të sforcohet më tej për prodhim nga Kaskada.
Korporata Elektroenergjitike mund të lehtësonte në zgjidhjen e situatës duke përdorur fondin prej 22.4 milion Eurosh që e ka në dispozicion në kuadër të Projektit të Bankës Botërore për Rimëkëmbjen Energjitike. Fond ky i parashikuar posaçërisht për import energjie nga KESH-i në kushtet e krizave me thatësirë të zgjatur.
Por përdorimi i këtij fondi nga KESH-i, që do të lehtësonte dhe barrën nga OSHEE, është peng i vendimmarrjes ende të pamundur në Këshillin e Ministrave. Burimet sqarojnë se ministrat teknik të Partisë Demokratike nuk kanë firmosur asnjë vendim qeverie dhe rrjedhimisht ka mbetur pezull dhe vendimi që do të autorizonte KESH-in të përdorte këtë sasi parash për të nisur importin.
Ky vendim do të mund të shmangte situata të paparashikuara me vazhdim të thatësirës gjatë muajve të verës e më tej në vjeshtë. Deri sa ky vendim të mund të miratohet, OSHEE do të jetë e detyruar që të përdorë fondet e veta për të garantuar blerjen e energjisë dhe stabilitetin e furnizimit të konsumatorëve.
Disclaimer: While every effort has been made to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations will differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For specific technical or legal advice on the information provided and related topics, please contact the editor at the “lorenc_gordani@albaniaenergy.org”.