KFW jep 10 mln euro – Investime për furnizimin me ujë të 7 qyteteve, Elisabeta Dosku/SCAN, 24 Maj 2017
Një financim prej 10 milionë eurosh do të shkojë për investime me qëllim furnizimin me ujë dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në 7 qytete në vend. Financimi do të jepet nga Banka “KFW” dhe përfitues janë qytetet Berat, Kuçovë, Delvinë, Gjirokastër, Kamëz, Librazhd, dhe Lushnjë.
Marrëveshja (SECO II) midis KFW dhe Republikës së Shqipërisë të përfaqësuar nga Ministri e Financave, për financimin e programit të infrastrukturës bashkiake III/IV është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi pas 15 ditësh. Programi bashkëfinancohet nga “Kontributi Zviceran II” dhe “Kontributi Gjerman”.
Në këtë program, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Agjencia Kombëtare e Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve, do të veprojë si Njësi e Koordinimit të Programit (“NJKP”) dhe ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve, do të veprojnë si Agjenci të Zbatimit të Projektit (AZP).
Sektori i ujësjellës-kanalizime në vend ka nevojë për shumë investime, pasi perfomanca e operatorëve është e dobët dhe uji pa të ardhura për shkak të amortizimit të rrjetit dhe humbjeve administrative mbetet në nivele alarmante prej disa vitesh, në masën 67 për qind. Investimet e këtij lloji në Shqipëri nga KFW tashmë janë bërë të zakonshme, pasi ky institucion është fokusuar së shumti në sektorin ujësjellës-kanalizime, energjetike dhe mjedis.