Skema mbështetëse për prodhimin e energjisë nga era dhe dielli – Qeveria përcakton tarifat, ja kostot dhe potenciali, Angelo Haruni/SCAN, 10/05/2017

Prodhimi i energjisë elektrike në vend është i bazuar tërësisht në burimet hidrike, por objektivi i vendosur për vitin 2020 për të patur 38% energji totale të rinovueshme është i paarritshëm pa një skemë mbështetëse, për burimet alternative si era dhe dielli.

Skema të tilla janë praktikë e zakonshme në vende të tjera, dhe kanë vite që zbatohen, duke patur si efekt një bum të instalimit të sistemeve alternative të energjisë si impiante diellore fotovoltaike, turbina ere, etj.

Ndërsa në vendin tonë, duke nisur nga viti 2007 janë nënshkruar 183 kontrata koncesionare për ndërtimin e 524 HEC-eve të vogla, format e tjera të energjisë janë të pashfrytëzuara. Për vitin 2015, vetëm 1 MW në pik impiant diellor fotovoltaik (PV) dhe asnjë impiant eolik me erë, si pasojë e mungesës së skemave mbështetëse.

Plani Kombëtar i Veprimit të Burimeve të  Energjisë së Rinovueshme 2015-2020 parashikon kapacitetin e nevojshëm për të arritur  objektivin kombëtar për vitin 2020 duke parashikuar instalimin e 750 MW HECV, të 30 MW gjeneratorë Eolikë dhe 50 MWp PV diellore. Nga ky plan deri më tani janë ndërtuar vetëm 150 MW HEC-e të vogla.

Për të mbështetur këto investime, qeveria do të vendosë një tarifë feed-in-premium, të bazuar në kostot e energjisë nga këto burime të rinovueshme (shpenzimet e operimit dhe mirëmbajtjes, taksat, etj.), çmimit mesatar që njësia gjeneruese duhet të marrë në një treg për të kthyer investimin gjatë një periudhe të arsyeshme.

Për të caktuar këto kosto, qeveria është bazuar tek raporti i ECOFYS, i cili parashikon se Kostoja Mesatare e Ponderuar e Kapitalit (WACC) për Shqipërinë, klasifikohet tek vendet me risk të mesëm. Pra, sipas raportit, investitorët në sistemet e prodhimit të energjisë nga era dhe dielli, duhet të kenë një normë kthimi prej 10% në vitin 2016, e 8% në vitin 2030, 2050.

Nëse do të merret një kosto mesatare të kapitalit, potenciali diellor PV do të ishte rreth 150MW. Ama në një skenar me kosto të ulët, potenciali është pothuajse 2000 MW. Sa i takon impianteve eolikë, ato kanë një potencial prej 1000 deri në 2000 MW, në varësi të LCOE.

Bazuar në çmimet e mesatarizuara në vendet e rajonit dhe llogaritjet e nxjerra nga studimet e bëra për këto forma energjie nga IRENA dhe ECOFYS, çmimi i mesatarizuar për energjinë diellore në vitin 2017 do të jetë 100 euro për MWh; ndërsa për energjinë e erës do të jetë 76 euro për MWh. Ky çmim do të shërbejë si nivel i çmimit mbi bazën e të cilit do të përzgjidhen përfituesit e skemës së mbështetjes.

Ligji në fuqi parashikon skema mbështetëse deri në 15 vjet, por nëse kjo formë promovimi do të vijojë, kostoja nga impiantet fotovoltaike synon të jetë më e lirë se ajo aktualja nga hidrocentralet e vendit deri në vitin 2050, ndërsa ajo nga impiantet e erës të arrijnë në nivele të ngjashme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.