Transparenca në bursë – ERE konsultime për rregulloren e re, ja specifikat, Nertila Maho/SCAN, 07/05/2017

Është folur gjatë për Bursën e Energjisë si një pjesë e rëndësishme e ligjit për sektorin e energjisë elektrike. Sipas afateve kjo bursë duhet të jetë operacionale në 1 janar 2018.

Por funksionimi i saj kërkon mbi të gjitha transparencë dhe pikërisht këtu ndalet edhe rregullorja më e fundit që Enti Rregullator i Energjisë ka publikuar së fundmi. Në këtë rregullore përcaktohen qartësisht të dhënat që duhet të publikojë Operatori i Sistemit të Transmetimit, që do të jetë edhe menaxhuesi kryesor i bursës, të dhënat që duhet të merren nga aktorët e tjerë të tregut, si dhe rregullimi i disbalancave dhe afatet kohore brenda të cilit duhet të bëhen njoftimet.

Rregullorja përcakton edhe mënyrën sesi do të veprohet me prodhuesit e energjisë diellore dhe asaj nga era. Këto dy kategori po nxiten gjerësisht së fundmi në përmbushje edhe të angazhimeve për burimet e rinovueshme. Të dyja palët do të bëhen pjesë e bursës dhe e raportimit sipas rregullave të transparencës në momentin që prodhimi i tyre do të arrijë sa 5 për qind e prodhimit total të energjisë në vend.

Menjëherë pas arritjes së këtij targeti do të raportohet kapaciteti gjenerues i instaluar si dhe parashikimin e një dite të avancë të gjenerimit si për eolikët dhe për fotovoltaikët. ERE ka publikuar rregulloren e transparencës në bazë të së cilës do të funksionojë Bursa e Energjisë. Në këtë dokument përcaktohet edhe mënyra si do veprohet me burimet e energjisë nga era dhe dielli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.