Çmimi i energjisë, biznesi kërkon uljen, Gazeta Dita, 04.05.2017

Përfaqësues të biznesit kundërshtojnë çmimin aktual të energjisë dhe kërkojnë rishikimin e tij nga Enti Rregullator i Energjisë. Nga tarifa më e lartë se kostoja për bizneset, subvencionohet çmimi nën koston, me të cilin u shitet energjia konsumatorëve familjarë.

“Që të ndizet ai poçi atje bën 7 lekë, fatura kushton 7 lekë, duhet të paguajmë 14 lekë për energjinë, kur një konsumator duhet të paguajë energjinë paguan edhe tatim fitimin edhe fitimin e kompanisë, këto nuk janë kosto, ligji i kontabilitetit nuk i njeh si kosto, edhe këtu ka një mundësi të uljes së çmimit”, tha Andrea Xhavara, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës.

Përfaqësues të biznesit furnizues të energjisë garantojnë biznesin konsumator se dalja në treg të lirë do të thotë çmim më i ulët se ai me të cilin furnizohen nga OSHEE.

“Të gjitha bizneset që do të furnizohen nga tregu i parregulluar do të kenë pasojë të menjëhershme, furnizim bazuar në çmim tregu, kjo nënkupton shmangien e elementit të ndërsubvencionimit, e vetmja gjë që do të miratohet nga ERE janë tarifat e aksesit”, tha Sokol Spahiu, Shoqata e Energjisë Elektrike.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga biznesi është dalja në treg të lirë pa patur një bursë të energjisë. Por ministria e Energjisë pohon të kundërtën.

“Sigurisht që bursa rrit transparencën dhe ul çmimet, megjithatë bursa nuk e pengon procesin e hapjes së tregut”, u shpreh Entela Cipa, Ministria e Energjisë.

Ministria e Energjisë shtyu afatin e daljes në treg të lirë për rreth 1200 biznese, pasi këto të fundit deklaruan se nuk ishin ende gati.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.