Dy koncesione të tjera – Hapet gara për HEC-et “Bushtrica 1” dhe Bushtrica 2”, Nertila Maho/SCAN, 30/04/2017
Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka hapur garën për dy koncesione të reja hidrocentralesh. Bëhet fjalë për Bushtrica 1 dhe Bushtrica 2 të cilët do të kenë një afat 35 vjet.
Hidrocentrali i parë do të jetë në segmentin e pellgut ujor të lumit të Bushtricës nga kuota 380 metra mbi nivelin e detit deri në kuotën 498 metra mbi nivelin e detit. Kurse hidrocentrali i dytë do të jetë në kuotën nga 503 metra mbi nivelin e detit deri në kuotën 678 metra mbi nivelin e detit.
Për të dy koncesionet nga ana e ministrisë nuk është vendosur një vlerë ndërkohë që janë përcaktuar kriteret që do të merren parasysh për shpalljen e kompanisë fituese ku pjesën kryesore e zë fuqia e instaluar.
Ofertat duhet që të paraqiten jo më vonë se data 31 maj 2017 në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë. Dy koncesionet e nxjerra në garë nuk janë të padëgjuara për publikun. Në vitin 2007 qeveria Berisha miratoi një bonus prej 9.5 për qind të pikëve për propozimin e pakërkuar nga kompania “2A Power sh.p.k.
Por që nga ajo kohë këtë procedurë e kanë përndjekur problematikat dhe vetëm tani u hap sërish gara për të lidhur një kontratë të re.