Qeveria akordon 300 mijë euro për tu mbrojtur nga Albanianbeg e Becchettit, Revista Monitor, 27/04/2017

Faturat për përballjen e shtetit shqiptar më palët e treta në gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit po vijnë gjithnjë në rritje. Qeveria shqiptare me anë të një vendimi të posaçëm ka miratuar një fond prej 41 milionë lekësh (300 mijë euro) për studion avokatore që do të mbrojë shtetin shqiptare ndaj arbitrazhit ndërkombëtar kundër “Albaniabeg Ambient”, sh.p.k., M. Angelo Novelli dhe “Construzioni”, s.r.l.

Me propozimin e ministrit të Mjedisit, qeveria ka vendosur që në buxhetin e miratuar për vitin 2017 të bëhet rishpërndarja e fondeve ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Financave.

Ministrisë së Mjedisit t’i shtohet fondi për shpenzime korrente, në masën 41 000 000 (dyzet e një milionë) lekë, në programin “Mbrojtja e mjedisit”, për të përballuar pjesërisht kostot e ekspertimit e të përfaqësimit të avokatëve të kontraktuar nga ana e shtetit shqiptar për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar ICSID, nr. ARB/14/26, me palë “Albaniabeg Ambient”.

Këto fonde ju hoqën ministrisë së Financave, në zërin “shpenzime korrente”, t’i pakësohen fondet, përkatësisht: me 15 000 000 në programin “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi” dhe 26 000 000 lekë, në programin 01120 “Menaxhimi i shpenzimeve publike”.

Historia e kompanisë që ka çuar shtetin shqiptar në arbitrazh ndërkombëtar nis qysh në vitin 2004, ku qeveria e Fatos Nanos organizoi një tender për përzgjedhjen e një kompanie që do të përpunonte plehrat në zonën e Tiranës dhe Durrësit.  Kompania Italiane Albanianbeg  ne pronësinë e Francesco Becchetti kishte në ofertën e saj ngritjen e një impianti plehrash në zonën e Kasharit për të trajtuar mbetjet e Durrësit dhe Tiranës dhe gjithashtu për të trajtuar edhe mbi 200 mijë tonelata të tjera nga Italia. Projekti dështoi për shkak të protestave që u shfaqen në atë kohë nën drejtim e lëvizjes Mjaft kundër importit të plehrave.

Biznesmeni Becchetti që u ndoq tre vite më parë për pastrim parash nga autoritet shqiptare kishte një serë aktivitetesh në Shqipëri. Ndër tjera edhe ndërtimin e HEC-it të kalivaçit. Ndërsa qeveria shqiptare është duke u përballur në arbitrazh ndërkombëtare me disa çështje që i takojnë zotit Becchetti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.