Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Ilir Bejtja ishte sot i pranishëm në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku prezantoi para deputetëve të pranishëm projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit midis Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline ag lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”.
- Bejtja shpjegoi para të pranishmëve qëllimin e këtij projektligji, si dhe objektivat që synohen të arrihen. Ai u shpreh se ky projektligj propozohet me qëllim ratifikimin e marrëveshjes nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
“Kjo marrëveshje është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 86, datë 8.2.2017 dhe është nënshkruar nga palët më datë 1.3.2017. Kuvendi me anë të ligjit nr. 116/2013, ka ratifikuar Marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline Ag, lidhur me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), si dhe Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik . Projekti TAP është parashikuar të kalojë në territorin e tre shteteve dhe në këtë kuptim, marrëveshja me qeverinë e vendit pritës parashikohej të miratohej me secilën nga shtetet pritëse (Shqipëri, Greqi dhe Itali nëse do të ketë)”, u shpreh Zëvendës Ministri.
Duke sqaruar përparësitë, problematikat, si dhe efektet e pritshme të këtij projektvendimi Z. Bejtja nënvizoi se komponent i përfitimeve nga implementimi i këtij projekti të rëndësishëm janë edhe përfitimet lokale, që përfaqësohen nga investimet që do të bëjë në interes të komunitetit lokal shoqëria TAP dhe përfitimet për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri.
“Duke marrë në konsideratë se marrëveshja me qeverinë e vendit pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe TAP ag, përfaqësonte marrëveshjen e parë të TAP me një shtet të vendit pritës, me qëllim që kushtet e kësaj marrëveshje të mos ishin më pak të favorshme se kushtet e marrëveshjeve që do të nënshkruheshin e miratoheshin nga Greqia, në një kohë më të vonë, palët, pra Republika e Shqipërisë e përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave dhe Shoqëria TAP a.g nënshkruan Marrëveshjen Krahasuese (Referuese) ose Benchmarking Agreement, e ratifikuar me ligjin 116/2013, ku në pikën 2 të saj u përcaktua që nëse marrëveshja me shtetin grek do të kishte parashikime që i siguronin Greqisë tarifa apo nivele tatimesh më të larta (me kusht që të mos jenë parashikuar si të tilla në legjislacionin e tyre të brendshëm), MQP të mund të ndryshohet nga palët, me qëllim përafrimin e saj me MQP-në e Greqisë për sa u përket çështjeve specifike financiare dhe tatimore në përputhje me parashikimet e Marrëveshjes Referuese”, sqaroi më tutje ai.
- Bejtja tha se parashikohet që menjëherë pas datës së nënshkrimit të Marrëveshjes Krahasuese, palët do të angazhohen në mirëbesim dhe në mënyrë bashkëpunuese për hartimin e plotë të Marrëveshjes së Angazhimit për Zhvillimin e Tregjeve të Gazit dhe Marrëveshjes për përfitimet vendase.