Në një intervistë të dhënë për gazetën “Albanian Free Press”, Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, z. Genti Beqiri, ka theksuar se interesi i të huajve që duan të investojnë në Shqipëri është në rritje. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, gjatë vitit 2016 janë regjistruar rreth 1323 kompani të huaja që operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe origjinën e investimit e kanë nga Italia, Turqia etj. 

Gjithashtu, të dhënat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, dëshmojnë trendin pozitiv rritës të fluksit të investimeve të huaja direkte (IHD) në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Kështu, flukset e IHD-ve u rritën nga 869 milionë euro në vitin 2014, në 890 në vitin 2015, duke arritur rekordin historik prej 983 milion euro në vitin 2016. 

Sipas z. Beqiri, Shqipëria ka tejkaluar edhe vendet e tjera të rajonit në tërheqjen e IHD-ve, duke marrë parasysh madhësinë e ekonomisë. Në krahasim me Maqedoninë, fluksi I IHD-ve për periudhën 2013-2015 ishte pothuajse 5 herë më i madh në terma absolutë, duke e sjellë Shqipërinë më afër vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, lidhur me stokun e investimeve të huaja direkte (investimet e akumuluara hyrëse).

Në këtë intervistë, përmenden edhe përmirësimet që vendi ynë ka pasur në një sërë raportesh ndërkombëtare. Kështu, në renditjen e Bankës Botërore “Të bësh biznes 2017”, vendi ynë është ngjitur me 32 pozicione, duke u renditur në vend të 58-të nga 190 vende, krahasuar me vendin e 90-të që zinte një vit më parë. Kjo është dhe renditja më e mirë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, që prej vitit 2003 kur ky raport u publikua për herë të parë nga Banka Botërore. Gjithashtu, Fondacioni “Heritage” në raportin e “Indeksit të Lirisë Ekonomike” për vitin 2016, e rendit vendin tonë në pozicion shumë të favorshëm në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Të gjithë këto arritje janë rezultat i reformave të vazhdueshme që qeveria shqiptare ka ndërmarrë dhe po ndërmerr me qëllim sigurimin e një mjedisi sa më të favorshëm për investitorët e huaj. Një ndër më të rëndësishmit, “hartimi i “Ligjit për Investimet Strategjike” siguron garanci maksimale ligjore për investitorët e huaj, por edhe vendas, si edhe proçedura të përshpejtuara nëpërmjet agjencisë AIDA, e cila është një dritare unike në shërbim të investitorëve” –  thotë Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s në intervistën për “AFP”.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka trajtuar vetëm gjatë vitit 2015 rreth 400 kërkesa për investim, nga investitorë italianë, gjermanë, turq etj.  Interes në rritje kanë shfaqur edhe kompanitë kineze, sidomos gjatë viteve të fundit. AIDA është pjesë e mekanizimit të kontakteve për Agjencitë e Promovimit të Investimeve Kinë – CEEC, i krijuar në kuadër të nismës për bashkëpunim ekonomik 16+1 mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore.

Për më të lexuar intervistën e plotë: gazeta.afp.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.