Enti Rregullator i Energjisë në një vendim që mori dje vendosi të mos ndryshojë tarifat e energjisë edhe për këtë vit edhe pse, kompanitë kishin kërkuar rritje për segmente të ndryshëm konsumatorësh.

Në mbledhjen e djeshme ERE vendosi që të lërë në fuqi vendimet  139, 145, 146, 147 dhe 148 të vitit 2014.  Këto vendime të ERE më 2014 përcaktuan çmimet që konsumatorët paguajnë sot dhe gjithashtu çmimet që kompanitë e sektorin e energjetik paguajnë sot njëra-tjetrës për prodhimin dhe transmetimin, të cilat do të jenë të vlefshme deri me 31 dhjetor 2017.

OSHEE kërkoi që me 2017 të aplikohen tarifa në nivele tensioni. Për konsumatorët fundor OSHEE kërkoi 4.9 lekë për kilovatorë tarifë e cila bashkë me tarifat e tjera të transmetimit dhe prodhimit  dhe furnizuesit me shumicë arrijnë nivelet aktuale të çmimit që është sot në fuqi prej 11 lekë për kilovatorë.

Gjithashtu ERE la të pandryshuara edhe tarifat e tjera për çdo nivel tensioni.

Enti Rregullator nuk ndryshoi as tarifën që KESH i shet OSHEE energjisë edhe pse modeli i tregut që është në zbatim aktualisht kërkon që kjo tarifë të ndryshojë.

Aktualisht KESH e shet një kilovator energji 1.45 lekë dhe kishte kërkuar që kjo tarifë së paku të ishte 2.4 lekë. Enti Rregullator nuk mori në konsideratë këtë kërkesë.

Operatori i Transmetimit të Energjisë OST kishte kërkuar dyfishim të tarifës për periudhën 31 mars-31 dhjetor 2017. Tarifa e kërkuar është 1.17 lekë për kilovatorë nga 0.65 lekë që është aktualisht. Por Enti Rregullator nuk e ka marrë në konsideratë këtë kërkesë duke e lënë të pandryshuar tarifën.

Sipas shpjegimeve që vetë OST ka dhënë, rritja e tarifës kërkohet për të realizuar rreth 7,6 miliardë lekë të ardhura që duhen për të mbuluar shpenzimet e aktivitetit. OST thotë se këtë vit, vetëm pagesat për anëtarësim në organizata europiane dhe rajonale kushtojnë mbi 500 mijë euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.