Një grup prej tetë Drejtorësh Ekzekutivë[1] të Grupit të Bankës Botërore vizituan Shqipërinë gjatë 29-30 marsit si pjesë e një vizite më të gjerë në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi kryesor i vizitës ishte të vlerësohej angazhimi i Grupit të Bankës Botërore në fushën e energjisë dhe të përpjekjeve për konektivitetin rajonal. Përpjekjet për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimit të konektivitetit në Ballkanin Perëndimor filluan në vitin 2014 me mbështetjen e Grupit të Bankës Botërore dhe të Bashkimit Europian.

Drejtorët Ekzekutivë u takuan me Kryeministrin Rama si dhe me Ministrat e Financës dhe Energjisë. Ata diskutuan progresin e bërë nga Shqipëria si dhe sfidat me të cilat përballet sektori energjetik dhe axhenda e konektivitetit rajonal. Ata shkëmbyen pikëpamje mbi lehtësimin e shkëmbimit të energjisë përmes krijimit të tregjeve të organizuara të energjisë elektrike dhe perspektivën për të zgjeruar integrimin rajonal. Ata diskutuan gjithashtu ndikimin e projekteve të financuara nga Grupi i Bankës Botërore, si p.sh. Programi për Rimëkëmbjen e Sektorit Energjetik, në reformat e sektorit energjetik pjesë e programit më të gjerë të qeverisë për reformat strukturore. Gjatë takimit me përfaqësues të sektorit privat, Drejtorët Ekzekutivë diskutuan sfidat me të cilat ndeshen për një sektor energjetik konkurrues dhe eficient si dhe mënyrat sesi Banka Botërore mund të ndihmojë në trajtimin e mangësive.

Drejtorët Ekzekutivë vizituan Hidrocentralin e Fierzës, një nga investimet më të rëndësishme në kaskadën e Lumit Drin ku panë ecurinë e zbatimit të Projektit për Sigurinë e Digave të financuar nga Banka Botërore dhe partnerë të tjerë për zhvillim (Agjencia Suedeze për Zhvillim, BERZH, USAID dhe KfW) për të përmirësuar sigurinë e digave dhe për të rritur efikasitetin e prodhimit të energjisë elektrike.

“Vlerësojmë rolin e Bankës Botërore për të rritur sigurinë e digave dhe për të përmirësuar efikasitetin e prodhimit të energjisë në kaskadën e Lumit Drin, vuri në dukje Znj. Karen Mathiasen, Drejtore Ekzekutive, e cila përfaqëson Shtetet e Bashkuara në Bordin e Bankës. “Zhvillimi efikas i potencialit të Shqipërisë për të prodhur energji nga hidrocentralet është shumë i rëndësishëm për rritjen ekonomike të vendit dhe uljen e varfërisë”.

Grupi i Bankës Botërore ka një portofol të madh kredish dhe garancish në Shqipëri duke përfshirë financimin prej 615 milionë USD nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BNRZH), një portofol prej 187 milionë USD nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (KNF) duke përfshirë fonde nga partnerët e saj dhe një portofol prej 214 milionë USD të Agjencisë Shumëpalëshe të Garantimit të Investimeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.