Kanadezët e “Pennine Petroleum” njoftuan se do të investojë rreth 2.1 milionë euro në bllokun Velça. Njoftimi është dhënë nga vetë kompania nëpërmjet faqes në Web.

Kanadezët kanë nënshkruar marrëveshjen që lejon shfrytëzimin e bllokut naftëmbajtës me Albpetrol më 14 Shkurt të këtij viti, me afat 6-vjeçar.

Por ky afat mund të shtyhet me 25 vite në rast se do të zbulohen burime të rëndësishme të naftës.

Kanadezët tashmë kanë hapur procedurën për të mundësuar kapitalin e nevojshëm për investim.

“Ne jemi mjaft entuziastë për të vijuar me aktivitetin në bllokun Velça në Shqipëri“, deklaroi Desmond Smith, drejtues ekzekutiv i “Pennine Petroleum”.

Kompania pritet të bëjë gati listën e objektivave të shpim-kërkimit në bllokun e “Velçës” brenda 2 muajve të ardhshëm.

Ndër të tjera, kompania është shprehur e gatshme të investojë edhe më tej në Shqipëri, pasi vlerëson se vendi ka një perspektivë mjaft pozitive.

Marrëveshja e nënshkruar së fundmi përfshin fazën e shpimit dhe atë të eksplorimit. Gjatë fazës së parë, “Pennine” synon të shpojë të paktën dy puse, me thellësi prej të paktën 2500 metrash.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.