Investimet e huaja direkte në katër vitet e fundit në vendin tonë kanë arritur në nivelin 983 milionë eurove, apo 10.5 % më shumë se një vit më pare, të dhëna që konfirmohen edhe nga Banka e Shqipërisë.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shqiptare të Investimeve,  AIDA, Genti Beqiri, ka komentuar këto të dhëna, duke u shprehur se ato konfirmojnë trendin rritës të parave të injektuara në ekonomi në formën e investimeve të huaja direkte që kanë sjellë rritje të kërkesës së brendshme dhe rritje të punësimit.

Në një njoftim për media, Beqiri shprehet se “Në 1 janar 2016 hyri në fuqi ligji për investimet strategjike si një përpjekje dhe provë kontrete e vullnetit dhe vizionit të qeverisë jo vetëm për të krijuar gjithë mbrojtjen e nevojshme juridike për investitorët, por edhe për të siguruar gjithë asistencën e duhur për kompanitë e huaja dhe vendase. Kjo dhe reformat e tjera u reflektuan fillimisht në ngjitjen e konsiderueshme që shënoi Shqipëria në raportin e fundit të Bankës Botërore “Të bësh biznes” dhe tashmë me shifrën prej gati 1 miliardë eurosh të injektuara në ekonomi, që përbën 10 % të GDP-së, duke dhënë kontribut direkt në rritjen ekonomike”.

Rritja më e madhe e fluksit vërehet në sektorin e energjetikës, falë edhe dy projekteve të rëndësishme, ai i kaskadës së Devollit dhe Gazsjellësi Transadriatik TAP, i cili pritet që deri në vitin 2019 të sjellë në Shqipëri rreth 1.9 miliard euro.

Sipas Beqirit “shifra rekord prej gati 1 miliardë euro e investimeve të huaja direkte është një motivim më shumë për agjencinë për të vijuar misionin e saj jo vetëm në funksion të promovimit të Shqipërisë si një destinacion shumë i favorshëm për investime, por në të njëjtën kohë ofrimi i gjithë asistencës dhe ekspertizës së nevojshme për kompanitë ekzistuese. Në të njëjtën kohë AIDA synon të shtojë kapacitetet e SME-ve shqiptare dhe të mbështesë hapjen e bizneseve të reja përmes fondeve të saj. Inkurajuese janë edhe shifrat e rritjes së eksporteve gjatë vitit 2016.”

Drejtori ekzekutiv i AIDA-s thekson ndër të tjera se aktualisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik po punon për hartimin e një ligji të harmonizuar për investimet, i cili shoqëruar me nisjen e zbatimit të reformës në drejtësi, si edhe të disa investimeve cilësore në fushën e turizmit pritet të sjellin një rritje edhe më të madhe të investimeve në Shqipëri dhe efekte direkte në rritjen ekonomike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.