Flet Matteo Colangeli, drejtor i BERZH-it për Shqipërinë

Drejtori për Shqipërinë i Bankës Evropianë për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Matteo Colangeli, rrëfehet në një intervistë të posaçme për “Monitor” për çështje që lidhen me ndikimin e situatës politike te klima e biznesit, rëndësinë e procesit të “Vetting”-ut, investimet strategjike të portofolit, por edhe vlerësimi për aksionerët e rinj kinezë të aeroportit “Nënë Tereza”. Ai shton se investimet potenciale, apo investitorët të cilët po konsiderojnë projekte apo aktivitete të reja në Shqipëri, do të kalojnë në gjendje “pritjeje”. Ata do të presin disa muaj për të parë sesi do të shkojnë zgjedhjet dhe për qeverinë e re, për të marrë vendime

Z. Colangeli, situata politike që po kalon aktualisht Shqipëria a mendoni se do të ketë ndikim sa i përket Investimeve të Huaja Direkte?

Në lidhje me investimet e huaja që janë duke u zbatuar, siç është TAP, nëse mund të përmend një prej tyre, besoj se nuk do të ketë ndikim në mbarëvajtjen. Investimet e tilla do të vazhdojnë ecurinë e tyre të pandikuara nga situata politike, por edhe nga fushata apo zgjedhjet parlamentare.

Sa u përket investimeve potenciale apo atyre investitorëve që po konsiderojnë projekte apo aktivitete të reja në Shqipëri, besoj se ata do të kalojnë që gjendje “pritjeje”, do të presin disa muaj për të parë sesi do të shkojnë zgjedhjet dhe për qeverinë e re. Kjo është ndarja e mundshme që mund të bëj mes investimeve në zbatim dhe atyre që mund të vijnë, si potenciale.

Në fakt, edhe disa vende të tjera të Ballkanit janë në një situatë të vështirë politike, a mendoni se kjo klimë mund të ndikojë në vendimmarrjen e investitorëve?

Në këndvështrimin e përgjithshëm, Ballkani si i tërë është një rajon tërheqës për investitorët e huaj për aq kohë sa mund të ofrohet si i tillë. Është perceptimi se ky rajon po ecën drejt një tregu më të harmonizuar dhe si i tërë është më tërheqës për investitorët e huaj. Në këtë mënyrë, ai ka më shumë mundësi për të ofruar zgjerim aktiviteti në tregje të tjera dhe mund të kthehet në një “pikë shitjeje” më interesante.
Ky është drejtimi që vendet e rajonit po ndjekin vitet e fundit, në përputhje edhe me proceset e integrimit në BE.

Çdo devijim nga ky drejtim, në mënyrë të qartë do të ishte një lajm i keq për investitorët. Këto janë shtete të vogla dhe bëhen më tërheqëse nëse veprojnë si një treg i vetëm. Është e rëndësishme që procesi i integrimit i Ballkanit të vazhdojë.
Në këtë kontekst, Shqipëria ka një qëndrueshmëri ekonomike. Zgjedhjet janë një proces që është i zakonshëm për vendet me demokraci. Vendi shkon drejt këtyre zgjedhjeve me një kuadër të mirë makro, të qëndrueshëm dhe me rritje.
Shqipëria po ecën mirë, por ajo është pjesë e rajonit dhe kur një investitor vlerëson mundësinë për të investuar, ai padyshim do të marrë në konsideratë situatën në tërësi.

Ballkani

Në këndvështrimin e përgjithshëm, Ballkani si i tërë është një rajon tërheqës për investitorët e huaj për aq kohë sa mund të ofrohet si i tillë. Është perceptimi se ky rajon po ecën drejt një tregu më të harmonizuar dhe si i tërë është më tërheqës për investitorët e huaj. Në këtë mënyrë, ai ka më shumë mundësi për të ofruar zgjerim aktiviteti në tregje të tjera dhe mund të kthehet në një “pikë shitjeje” më interesante.

A keni ju një këshillë për qeverinë shqiptare, nisur edhe nga fakti se jemi në prag fushate? Ku duhet të tregohemi të kujdesshëm?

Mendoj se qeveria duhet të vazhdojë të mbajë të pandryshueshme prioritetet e saj dhe të vazhdojë të punojë për integrimin në BE. Në këtë kuadër, sundimi i ligjit dhe Reforma në Drejtësi janë bazike. Janë të tilla për vetë qëllimin që ato kanë për integrimin në BE, por edhe si garanci për tërheqjen e investimeve. Një sistem transparent, një sistem gjyqësor i drejtë janë elemente të rëndësishme, por edhe parakushte për rritjen ekonomike.

Integrimi në BE

Sundimi i ligjit dhe Reforma në Drejtësi janë bazike. Janë të tilla për vetë qëllimin që ato kanë për integrimin në BE, por edhe si garanci për tërheqjen e investimeve. Një sistem transparent, një sistem gjyqësor i drejtë janë elemente të rëndësishme, por edhe parakushte për rritjen ekonomike

A kemi një shifër sesa mund të jenë investimet e BERZH-it për këtë vit në Shqipëri?

Ne aktualisht jemi në procesin e buxhetimit të detajuar për secilin vend sa u përket termave të investimeve. Ajo që mund të them është se ne investuam 178 milionë euro vitin e kaluar dhe kjo ishte një shifër rekord. Ajo që ne parashikojmë për këtë vit është që të arrijmë në një shifër më të lartë, ky është edhe targeti ynë.

Synimi ynë është të investojmë mbi 300 mln euro në 2017

Kuvendi pritet të ratifikojë marrëveshjen e huasë për ndërtimin dhe rehabilitimin e hekurudhës Tiranë – Durrës – Rinas, e cila është siguruar nga BERZH

Ne besojmë se sektori hekurudhor në Shqipëri ka nevojë urgjente për modernizim, si një mënyrë për të nxitur zhvillimin e ekonomisë shqiptare, për integrimin e vendit në tregje të tjera, përfshi këtu edhe ato të rajonit. Ne po nisim me segmentin Durrës – Aeroporti i Rinasit, duke qenë se Porti i Durrësit është një aset i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare, në të cilin kalojnë flukse të mëdha tregtare drejt tregjeve të tjera të rajonit.

Jemi të angazhuar për nisjen e këtij projekti, për të cilin nënshkruam marrëveshjen me qeverinë në fund të vitit të kaluar. Hapi i ardhshëm do të jetë që të nënshkruajmë marrëveshjen me Hekurudhën Shqiptare, e cila do të zbatojë projektin. Ne besojmë se kjo do të ndodhë shumë shpejt, në javët në vazhdim. Pas kësaj, ne do të mund të jemi në gjendje të vazhdojmë me procesin e tenderimit për kontratat, për modernizimin e hekurudhës.

BERZH gjithashtu është angazhuar në hartimin e studimit të fizibilitetit për lidhjen e Hekurudhës Shqiptare me atë të Malit të Zi, jemi në fazën përgatitore dhe shpresojmë që në vitin 2018 të mund të nënshkruhet marrëveshje mes palëve për nisjen e projektit.

A ka një afat për këtë projekt?

Nuk ka afate të përcaktuara, por procesi ka kaluar në anën e qeverisë shqiptare, pasi i takon asaj të vazhdojë procedurat. Është Hekurudha Shqiptare ajo që do të realizojë tenderin, ndërsa ne do të financojmë. Ne jemi gati të procedojmë, sapo qeveria shqiptare të përfundojë procedurat e tenderimit.

A po ecën si duhet qeveria shqiptare në këtë projekt?

Duhet kuptuar se projektet kombëtare kërkojnë kohën e tyre natyrale. Ka procedura që duhet të ndiqen. Prokurimi kërkon kohë. Ky nuk është një projekt që do të përmbushet brenda këtij viti. Do të duhen rreth dy apo tre vjet. Ne po punojmë që ai të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur. Pala shqiptare duhet të bëjë punën e vet, me procesin e tenderimit, për të cilën ne shpresojmë që të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur, përpara zgjedhjeve.

BERZH është kreditor i TIA-s (Aeroporti ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’) që nga viti 2005. Rreth një vit më parë, banka kërkoi më shumë informacion për aksionerët e rinj të aeroportit, për të cilët u ngrit pretendimi se ishin kompani “offshore”. Cili është opinioni juaj për këtë çështje?

Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit ka një aksioner të ri. Është normale për BERZH që të marrë informacione në momentin kur ka ndryshime aksionerësh, ajo që njihet si “due intelligence”. Kemi marrë në konsideratë pronarët e rinj dhe pas kësaj kemi arritur në përfundimin se i qëndrojmë angazhimit tonë dhe nuk kemi zbatuar të drejtën e rishikimit. Ne vazhdojmë të jemi institucioni kreditues. Ne jemi të kënaqur që do të punojmë me aksionerët e rinj.

Në lidhje me pretendimet e ngritura për origjinën e aksionerëve të rinj, unë nuk jam në pozicionin që të gjeneralizojë çdo aksioner të kompanisë. Ne si bankë i marrim vendimet rast pas rasti. Ne jemi të hapur të punojmë me kompani kineze, duke qenë se Kina vitin e kaluar u bë edhe aksioner i BERZH-it. Ne jemi të hapur për biznes dhe për të bashkëpunuar me investimet kineze në të gjithë rajonin, përfshi edhe Shqipëri.

Blerësi i ri i Rinasit

Në lidhje me pretendimet e ngritura për origjinën e aksionerëve të rinj, unë nuk jam në pozicionin që të gjeneralizojë çdo aksioner të kompanisë. Ne si bankë i marrim vendimet rast pas rasti. Ne jemi të hapur të punojmë me kompani kineze, duke qenë se Kina vitin e kaluar u bë edhe aksioner i BERZH-it.

Ndër të tjera BERZH, ka asistuar qeverinë shqiptare sa i përket procesit të mirëmbajtjes së rrugëve kombëtare. Së shpejti nis zbatimi për herë të parë në Rrugën e Kombit mbi realizimin e këtij procesi?

Banka historikisht është angazhuar në projekte infrastrukturore, rrugore në Shqipëri. Natyrisht janë projekte të ndërlikuara dhe përballen me sfida nga më të ndryshmet. Në tërësi kemi të bëjmë me ecuri pozitive, por i shqyrtojmë çështjet rast pas rasti me autoritetet dhe me palën shqiptare.

A mund të na rendisni disa nga projektet kryesore që BERZH do të mbështesë në muajt në vazhdim?

BERZH do të vazhdojë të mbështesë sektorin e bujqësisë. Ne synojmë që të lehtësojmë kreditimin, duke e bërë të aksesueshme nga gjashtë banka të nivelit të dytë në total dhe kompanitë mikrofinanciare. Aktualisht kemi nënshkruar marrëveshje me katër banka, ndërsa presim të na bashkohen edhe dy të tjera.
Gjatë 2017-s, fokusi ynë do të jetë kreditimi i fermerëve, por edhe i kompanive të agrobiznesit.

Në këtë mënyrë, ne synojmë që të rrisim portofolin e kreditimit me 180 milionë euro gjatë tre viteve në vijim. Aktualisht jemi në fazën e zbatimit dhe kemi avancuar ndjeshëm. Gjithashtu në fokus gjatë këtij viti do të jetë edhe sektori privat në të gjithë fushat e tjera, jo vetëm në bujqësi. Ne duam të rrisim investimet direkte për kompanitë lokale shqiptare, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ky është një sektor ku ne duam të bëjmë më shumë.

Ekonomia

Shqipëria ka një qëndrueshmëri ekonomike. Zgjedhjet janë një proces që është i zakonshëm për vendet me demokraci. Vendi shkon drejt këtyre zgjedhjeve me një kuadër të mirë makro, të qëndrueshëm dhe me rritje.

Hekurudha

Është Hekurudha Shqiptare ajo që do të realizojë tenderin, ndërsa ne do të financojmë.
Ne jemi gati të procedojmë, sapo qeveria shqiptare të përfundojë procedurat e tenderimit.

Rinasi

Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit ka një aksioner të ri. Është normale për BERZH që të marrë informacione në momentin kur ka ndryshime aksionerësh, ajo që njihet si ‘due intelligence’.
Kemi marrë në konsideratë pronarët e rinj dhe pas kësaj kemi arritur në përfundimin se i qëndrojmë angazhimit tonë dhe nuk kemi zbatuar të drejtën e rishikimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.