Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike (DDPP) në Ministrinë e Financave ka nxjerrë në shitje 30 për qind të aksioneve në kompaninë Euroteorema kundrejt vlerës 72,8 milionë lekë ( 531 mijë euro).

Kompania ushtron aktivitet ndërtues, transport mallrash brenda dhe jashtë vendit dhe është një nga kompanitë më të mëdha në vend në ndërtimin e autostradave.

Ankandi do të zhvillohet me 25 prill në orën 10:00 në ambientet e DDPP-së.

Në njoftimin e ankandit thuhet se në këtë kompani me kapital të përbashkët pjesa prej 70 për qind zotërohet nga ortakët jo shtetëror. Për pjesën tjetër që është në pronësi të shtetit Ministri e Financave fton të gjithë personat fizike dhe juridike që janë të interesuar për blerjen e këtyre aksioneve.

Të interesuarit duhet të dorëzojnë një kërkesë me shkrim dhe të dhënat mbi identitetin dhe adresën e banimit.

Në vitin 2014 kompania realizoi një xhiro vjetore prej 1.4 miliardë lekësh gati me katërfishim me vitin paraardhës, teksa fitimi ishte mbi 220 milionë lekë. Ekstrakti historik i kompanisë në Qendrën Kombëtare tëRegjistrimit të biznesit nuk është freskuar më të dhënat e bilancit për vitin 2015.

Euroteorema shpk u krijua në vitin 1993 nga një grup sipërmarrësish me eksperiencë inxhinierike në ndërtim me misionin për të vepruar jashtë shtetit në sektorët e ndërtimit civil, industrial dhe infrastrukturë, me anë të zotërimeve të kompanive lokale në mënyrë që të krijojë një grup operativ ndërkombëtar.

Kompania është nga më të mëdhatë në sektorin e ndërtimit të rrugëve dhe sidomos të veprave me fonde publike. Në sektorin publik ajo ka ndërtuar autostrada, ura dhe rikonstruksione në Porte dhe hekurudha. Gjithashtu kompania ka ndërtuar edhe objekte në sektorin privat kryesisht fabrika për bizneset.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.