Derregullimi, sfida e vërtetë e liberalizimit të sektorit të energjisë

Nga Dr. Lorenc Gordani, për Revistën Monitor (Print)

Procesi i derregullimit në kontinentin evropian ka filluar së pari në Angli që në fillim vitet ’80. Pra hapja e mundësive për kapitalet private dhe rritja e konkurrencës, më shumë se procesi i integrimit në vetvete, për të cilën ky vend ka qenë gjithmonë disi indiferent dhe pak i tërhequr, ka qenë shtysa kryesore në krijimin e një tregu energjetik (energy pool) shumë më herët se ato të vendeve të tjera të BE-së.

Për më tepër, fillimi i procesit të liberalizimit dhe përfundimit të tregut të brendshëm të energjisë nga vendet e tjera të BE-së, pavarësisht nga ndërmarrja “kolosale” e dy komisioneve Delors, do të duhet të priste lancimin e paketës se parë të energjisë në ’97. Një proces që edhe pas dy plotësimeve të tjera, është duke u zhvilluar në shpejtësi të ndryshme në të gjitha vendet e BE-së.

Ne fakt, përfitimet e një tregu të liberalizuar të energjisë janë të njohura! Tregu i lirë hap mundësinë për të zgjedhur furnizimin, për një nga komponentët më me peshë në buxhetin e kompanive dhe familjeve, midis disa operatorëve të energjisë elektrike. Me konkurrencën vijnë edhe risitë dhe rritet efikasiteti, duke mundësuar zgjedhjen e furnizuesit me çmimin por edhe shërbimin sipas nevojave te konsumatorit final.

Por si paraqitet situata në Shqipëri?

Sipas reagimit zyrtar të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), në një prononcim për “Monitor”, pas shqetësimit të ngritur nga bizneset dhe operatorët e tregut për ngërçin e furnizimit me energji të subjekteve që furnizohen nga tensioni 35 kV, behet e njohur se sipas të gjitha njoftimeve të bëra: “Data 31 dhjetor 2017 ishte data e fundit ku subjektet e lidhur në 35kV do të furnizoheshin me çmim të rregulluar nga OSHEE (9.5 lekë/kWh)”.

Aktualisht, duke filluar nga data 1 Janar 2018 dhe 60 ditë në vazhdim, OSHEE ka njoftuar abonentët se do të vazhdojë furnizimi në funksionin e FMF (Furnizuesi i Mundësisë së Fundit) me çmim sipas metodologjisë së përcaktuar nga ERE. “[…] në çdo rast, Qeveria garanton se ky proces do të vazhdojë në mënyrë transparente, pa kosto shtesë dhe pa cenuar vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për zhvillimin e aktivitetit ekonomik të këtyre bizneseve”, – shton në njoftimin e saj ministria e energjisë për “Monitor”.

Megjithatë, siç duket në deklaratë, është e qartë se edhe bizneset më të suksesshme shqiptare (që janë edhe ato më të mëdhatë) po hezitojnë të hyjnë në tregun e lirë. Në fakt, kjo është një risi e vërtetë dhe ndryshim nga ajo që kemi mësuar deri më tani. Megjithatë, duhet të thuhet se ky proces ka filluar në vitin 2012, edhe pse vetëm për një kategori te vogël te detyruar dhe askush tjetër nuk ka kërkuar vullnetarisht të furnizohet me energji ne tregun e lirë.

Çmimi administrativ i rregulluar dhe shpërndarja nga një burim de facto krijon një monopol të tregut (të ashtuquajtur monopol ligjor). Përveç kësaj, siç tregohet nga përvoja e vendeve të tjera, sapo miratohet derregullimi, konsumatorët fillojnë të përfitojnë nga një treg i hapur dhe më i lirë që ofron zgjedhjen e furnizuesit dhe në fund promovon konkurrencën.

Po çfarë është “derregullimi” në sektorin e energjisë?

Derregullimi nuk është asgjë tjetër veç se mundësia e zgjedhjes së furnizuesit të energjisë. Kjo mundëson të ndryshosh furnizuesin e energjisë elektrike (ose nesër të gazit natyror) duke ndikuar në kostot e energjisë së konsumuar. Pra u jep konsumatorëve një zgjedhje, kur është fjala për furnizuesin e tyre të energjisë dhe gjithashtu, i motivon furnizuesit e energjisë që të ofrojnë çmime dhe shërbime me të mira për të qenë konkurrues në treg.

Kështu, për konsumatorin derregullim do të thotë të kenë fuqinë për të zgjedhur furnizuesin e energjisë, duke mbajtur më shumë kontroll mbi kostot e energjisë. Nga ana tjetër, konsumatori nuk duhet të shqetësohet për ndërprerjet e shërbimit kur furnizuesi i energjisë ndryshon, pasi kjo është ne përgjegjësin e operatorit te rrjetit (OSHEE-se). Operatori i cili mbetet përgjegjës për shpërndarjen e energjisë tek konsumatori përfundimtar, pavarësisht nga furnizuesi që është zgjedhur. I vetmi ndryshim është se çmimi i furnizimit dhe emri i furnizuesit në faturë.

Pra në finale, mund të themi se liberalizimi i energjisë është duke u zhvilluar dhe gjendet në faza të ndryshme nga vendi në vend. Vendet më të përparuara e kanë përmbushur me kohë tregun e energjisë elektrike dhe gazit natyror, ndërsa të tjerët kanë derregulluar vetëm një pjesë. Kështu, shpresojmë se në fund do të kuptohet se ndërmarrja e kësaj “sakrifice” nuk do të jetë asgjë tjetër veçse futja e sektorit të energjisë në Shqipëri në epokën e re të ekonomisë së tregut.

Deklaratë: Konsultimi i këtij artikulli mund të bëhet përmes burimit të tij origjinal. Autorësia dhe mendimet e shprehura në të i përkasin autorit te tyre. Ndërsa të gjitha përpjekjet janë bërë nga autori për të siguruar saktësinë e këtij publikimi, ai nuk ka për qëllim të ofrojë këshilla ligjore pasi që situatat individuale mund të ndryshojnë dhe duhet të diskutohen me një ekspert dhe/ose avokat. Për çdo këshillë specifike teknike ose ligjore, informacioni i ofruar dhe tema të tjera, mund të kontaktoni përmes “lorenc.gordani@euroelektra.al”.

The post Derregullimi, sfida e vërtetë e liberalizimit të sektorit të energjisë appeared first on Revista Monitor.

Source: Derregullimi, sfida e vërtetë e liberalizimit të sektorit të energjisë

Most Read Publications

No post found

Most Visit Sections