Ndryshimet në ligjin e PPP – “Inceneratorët, jo me procedurë të përshpejtuar. Ulni kufirin e investimit”
Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka miratuar në parim ndryshimet në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat”, i cili i hap rrugën përshpejtimit të procedurave për ndërtimin e hidrocentraleve dhe termocentraleve me vlerë mbi 100 milion euro. Deputetët kërkuan riformulimin e disa pikave për të saktësuar faktin se ky ligj nuk përfshin inceneratorët apo TEC-et me torfë.
“Pse është përfshirë termocentralet? Ky ndryshim që po kërkohet të bëhet s’ka të bëjë fare me energjinë e rinovueshme, ka të bëjë me energjinë me djegie, e cila nga ana tjetër nuk i vihet ndonjë kufi këtu, thjesht përjashtohet dhe sa do jetë kjo djegia. Inceneratorët djegin dhe e kemi shpreh shqetësimin, por kjo do sqaruar, kjo është totalisht e paqartë.”
Deputetët kërkuan edhe ulje të kufirit prej 100 mln euro, çka sipas tyre do të stimulonte më tepër investimet.
“Pse pikërisht 100 dhe jo 50 milionë? Frekuenca e kërkesave për të bërë investime të mëdha për mua, do me thënë do të doja të dija: Është e madhe? Kaq e madhe është sa pse të mos vendoset kufiri për shembull 50 milionë dhe pse 100 milionë, në një kohë që investimet mbi 100 milionë përgjithësisht kam përshtypjen që nuk janë kaq frekuente që ne sit ë thuash ta ruajmë. Ne mund të presim dhe s’na vjen 100 milionë, ndërkohë që për vlera më të vogla në këtë mënyrë ne absorbojmë apo stimulojmë edhe investime që janë 40, 50 milionë.”
Shkak për këto ndryshime është procedura e tejzgjatur për nënshkrimin e një kontrate koncesionare, çka sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ka stepur mjaft investitorë.
“Shqipëria mbështetet kryesisht në prodhimin e energjisë në burime ujore. Kjo ka reflektuar natyrisht në kosto shumë të larta të cilat herë pas here kanë vënë në vështirësi edhe sistemin elektroenergjitik shqiptar dhe financat në buxhetin e shtetit. Ka shumë interes të investitorëve të huaj dhe shqiptarë për të zhvilluar kapacitete prodhuese të reja, por të gjithë ata stepen dhe demotivohen nga procedurat shumë të gjata që shkojnë gati rreth 2 vjet, ndërkohë që vendet e rajonit kanë procedura të përshpejtuara.”
Ola Mitre/SCAN
Disclaimer: The authorship and the opinion expressed pertain to their authors. While all the effort are made by Esc Adriatic to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations may differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For any specific technical or legal advice on the information provided and related topics, contact us through “esco@albaniaenergy.org”.