Bizneset e tensionit 35KV do e blejnë energjinë 7% më lirë në Shkurt

90 bizneset që furnizohen në nivelin e tensionit 35 kilovolt do ta blejnë energjinë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) me çmim 8.85 lekë për kilovatorë në muajin shkurt (pa TVSH), sipas burimeve zyrtare të OSHEE. Ky është muaji i dytë që këto biznese me po e blejnë energjinë me çmim të parregulluar. Në krahasim me muajin dhjetor, kur nuk kishte filluar ende liberalizimi i tregut të energjisë, dhe energjia tregtohej me tarifë të përcaktuar prej 9.5 lekë/kvh, çmimi është rreth 7% më i lirë.

Kjo lëvizje vjen në kuadër të procesit të liberalizimit të energjisë, të parashikuar në nenin 109 të ligjit 43 të vitit 2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i cili parashikonte që bizneset që furnizoheshin në tensionin 35 kv do të duhet të dilnin në treg të pavarur deri në 30 qershor 2016, por që ligji u shty disa herë dhe filloi zbatimin në 1 janar 2018. Deri në fund të vitit 2018 do të duhet të dalin edhe bizneset e linjës 20 kv, ku janë rreth 1,000 të tillë.

Janari ishte muaji i parë, kur bizneset e blenë energjinë me çmim të parregulluar nga OSHEE, në bazë të metodologjisë të përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë, ku çmimit të blerjes në treg i shtohet kosto direkte e furnizimit me pakicë (10% e çmimit të blerjes), tarifa e përdorimit të rrjetit të transmetimit (0.75 lekë/kvh) dhe tarifa e përdorimit të shpërndarjes (1.5 lekë/kvh). Çmimi përfundimtar i janarit rezultoi 11.6 lekë/kvh pa TVSH, me një rritje prej 22% në krahasim me muajin dhjetor, kur biznesi furnizohet me çmim të rregulluar prej 9.5 lekë /kvh.

Por, në shkurt, OSHEE ka arritur që ta blejë më lirë energjinë në treg, duke rezultuar me një çmim final që ishte shumë më i lirë se ai i janarit (24% më i lirë). Energjia u ble në tregun e lirë nga tregtuesi GEN-I, me çmim të favorshëm, si rrjedhojë e situatës së favorshme hidrike.

Elton Sevrani, Drejtori i Shitjes dhe Tregtimit të energjisë në OSHEE, tha për “Monitor” se çmimi më i lirë i siguruar në shkurt tregon se liberalizimi i tregut sjell përfitime për bizneset.


Në mars bizneset duhet ta sigurojnë vetë energjinë

Edhe në muajin shkurt do të kenë mundësi që të blejnë energjinë nga OSHEE. Nëse deri në fund të shkurtit nuk kanë arritur që të shkëputen nga OSHEE dhe të gjejnë një furnizues alternativ, pjesës më të madhe të tyre (me përjashtim të 8 institucioneve buxhetore, kryesisht ujësjellës) do t’u ndërpritet energjia dhe do të mbeten pa furnizim.

OSHEE u ka dërguar shkresën e tretë bizneseve ku i ka rikonfirmuar çmimin për muajin janar, dhe u ka bërë të ditur çmimin e faturimit për muajin shkurt dhe i ka njoftuar që të marrin masat për gjetjen e një furnizuesi alternativ brenda datës 15 shkurt. Kjo bëhet me qëllim që në përputhje me rregulloren dhe ndryshimin e furnizuesit, OSHEE të marrë masat, në të kundërt do të bëhet stakimi i furnizimit.
Nëse bizneset nuk gjejnë asnjë furnizues tjetër, ligji nuk parashikon asnjë alternativë përveç ndërprerjes së energjisë elektrike për subjektin në fjalë.
Megjithatë, burime nga OSHEE pohuan se biznesi nuk do të lihet pa energji dhe po diskutohet për shtyrjen e afateve. Një tjetër ngërç është fakti që ligji nuk parashikon mundësinë e furnizuesit të fundit, nëse bizneset nuk arrijnë të sigurojnë energji në treg të lirë. Ky shërbim mund të ofrohet nga OSHEE, por për këtë duhet të përshpejtohet procesi i ndarjes së kompanisë së shpërndarjes së energjisë dhe të krijohet divizioni i tregtimit të OSHEE, dhe të jetë ky i fundit që të furnizojë direkt bizneset në formë të parregulluar.

The post Bizneset e tensionit 35KV do e blejnë energjinë 7% më lirë në Shkurt appeared first on Revista Monitor.

Source: Bizneset e tensionit 35KV do e blejnë energjinë 7% më lirë në Shkurt

Disclaimer: The authorship and the opinion expressed pertain to their authors. While all the effort are made by Esc Adriatic to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations may differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For any specific technical or legal advice on the information provided and related topics, contact us through “esco@albaniaenergy.org”.

Most Read Publications

Most Visit Sections