Furnizimi me energji elektrike – Ndryshime për kompanitë, ja institucionet ku s’duhet të ndërpritet
Furnizuesit e Shërbimit Universal, duhet të sigurojnë pa ndërprerje energjinë elektrike për disa institucione shtetërore, që konsiderohen të rëndësisë së veçantë.
Përmes një vendimi të miratuar në datën 8 dhjetor, Këshilli Ministrave iu ngarkon këtë detyrim furnizuesve për spitalet dhe qendrat e urgjencës, për ujësjellësit si dhe për burgjet dhe institucionet shtetërore, të cilat mbulojnë sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Ndërkaq, qeveria ka ndryshuar dhe formulën që do të ndiqet për të përmbushur detyrimin e blerjes së sasinë së nevojshme të energjisë elektrike për furnizimin me energji të klientëve.
Sipas vendimit të ri, sasia e energjisë elektrike, për të përmbushur kërkesat e klientëve që përfitojnë nga Shërbimi Universal i Furnizimit do të bazohet në nivelin historik mesatar vjetor të dhjetë viteve të fundit, ndërkohë që aktualisht kjo sasi bazohet në nivelin historik mesatar vjetor të prodhimit.
Një tjetër ndryshim ka të bëjë edhe me kompensimin që përfitojnë këto kompani në rastin se e sigurojnë energjinë e nevojshme në tregun e parregulluar. Deri më tani ky kompensim bëhej sipas diferencës ndërmjet çmimit të rregulluar të prodhimit të energjisë elektrike dhe çmimit mesatar të bursës hungareze.
Ndërkohë që, sipas vendimit të ri ky kompensim do të bëhet sipas një vlere që do të përcaktohet nga palët e që do të reflektohet në kontratën e nënshkruar mes tyre.
Ndërkaq, brenda datës 1 janar 2018, Këshilli i Ministrave duhet të përcaktonte kushtet për furnizimin e klientëve të energjisë elektrike, të lidhur në nivelin e tensionit 0.4 kV, por sipas vendimit të ri këto kushte do të përcaktohen vetëm pas nisjes së funksionimit të Bursës Shqiptare të Energjisë.
Aktualisht, ERE ka licencuar 38 kompani në aktivitetin e furnizimit me energji.
Ola Mitre/SCAN
Source: Furnizimi me energji elektrike – Ndryshime për kompanitë, ja institucionet ku s’duhet të ndërpritet
Disclaimer: The authorship and the opinion expressed pertain to their authors. While all the effort are made by Esc Adriatic to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations may differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For any specific technical or legal advice on the information provided and related topics, contact us through “info@albaniaenergy.org”.