Vëmendja e energjisë rikthehet tek HEC-et – MEI hap tender për dy hidrocentrale në Gjirokastër, Angelo Haruni/SCAN, 28 Gusht 2017
Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka hapur ditën e hënë procedurat e tenderimit për dy hidrocentrale pranë qytetit të Gjirokastër. Bëhet fjalë për HEC-et “Suha” dhe “Suha e Sipërme”.
Për shfrytëzimin hidroenergjitik të pellgut ujëmbledhës të lumit të Suhës, MEI ka parashikuar një kohëzgjatje prej 35 vjetësh, kohë kur kompanitë që do të shpallen fituese do të ndërtojnë dhe operojnë hidrocentralet, para se t’ia transferojnë shtetit.
Aplikimet do të priten deri më datë 29 Shtator 2017 pranë Ministrisë së Energjisë, apo në mënyrë elektronike përmes faqes së Agjencisë së Prokurimeve Publike.
Fituesi do të përzgjidhet në bazë të një sistemi me pikë, ku peshën kryesore e zë fuqia që do të instalohet me 25 pikë.
Me nga 15 pikë do të vlerësohet tarifa koncesionare dhe analiza ekonomike e financiare. Kapaciteti financiar i kompanisë do të vlerësohet me 13 pikë, ndërsa me po kaq pikë maksimale do të vlerësohet edhe ndikimi ekologjik dhe social.
Skema e lidhjes së centralit me rrjetin vlerësohet me 10 pikë maksimale, ndërsa kostoja njësi për makineritë e pajisjet do të marrë maksimalisht 3 pikë.
Bie në sy që koha e zbatimit të punimeve nuk është një kriter që ka marrë rëndësi, pasi vlerësohet vetëm me 6 pikë. Kjo nënkupton se falë interesit të kohëve të fundit për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, qeveria nuk e ka me ngut të ndërtojë hidrocentrale të tjera, krahas atyre të parashikuar.
Lumi i Suhës për vetë natyrën e klimës mesdhetare kodrinore të pellgut ujëmbledhës të tij karakterizohet me prurje te shumta uji gjatë periudhës vjeshtë-dimër-pranverë, ndërsa në verë karakterizohet nga shumë pak reshje, në masën 10% të reshjeve vjetore.
Disclaimer: The consultation of this article can be made through its original source. The authorship and the opinion expressed pertain to their authors. While all the effort are made by Esc Adriatic to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations may differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For any specific technical or legal advice on the information provided and related topics, contact us through “info@albaniaenergy.org”.