Fierza, në gjendje kritike edhe pse prurjet dyfishohen, KESH rriti prodhimin, Revista Monitor, 18 Gusht 2017
Në kushtet kur vendi është duke u furnizuar me energji të importuar dhe OSHEE do të plotësonte një pjesë shtesë me një tender të dytë, KESH ka vendosur të rrisë kontributin e tij me një prodhim disi më të lartë se dy javë më parë.
Të dhënat e fundit për kaskadën e Drinit reflektojnë një situatë gjithmonë e më kritike, sidomos për Fierzën, që është edhe hidrocentrali kryesor ndër të tre që janë pjesë përbërëse e saj.
Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve duket se nuk po ndihmojnë Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, e cila është duke kërkuar një balancë mes menaxhimit me eficencë të rezervës ujore të disponueshme por edhe garantimit të një sasie energjie që ngushton lehtë varësinë nga importet.
Konkretisht nga të dhënat e datës 17 gusht 2017, ora 14:00, rezulton që Fierza të ketë prekur nivelin 268.13 metër shifër që tregon rënie krahasuar me të dhënat e dy javëve më parë, kur regjistronte 269.80 metra.
Nga të dhënat e së enjtes rezulton se niveli i Fierzës është ulur me rreth 1 metër ndërsa janë duke u përpunuar maksimalisht prurjet, të cilat rezultojne ditëtt e fundit në 50 m3/sek nga 25 m3/sek që ishin më 2 gusht. Si rrjedhojë prodhimi i KESH për OSHEE është rritur në 2,476 MWh në ditë nga 1600 MWh që ishte më herët.
Për muajin gusht, OSHEE tenderoi fillimisht rreth 30 milionë euro dhe më pas 1.6 milionë të tjera për garantimin e furnizimit të vendit me energji. Ky është muaji i dytë që vendi furnizohet kryesisht nga importi ndërkohë që gjasat janë që edhe shtatori të sigurohet me importe.
Kjo bëhet edhe më e thjeshtë me ndryshimin e fundit të buxhetit nga ana e qeverisë, e cila përmes një akti normativ rriti huadhënien për energjinë me 3 miliardë lekë, pak a shumë sasia e nevojshme e parave për sigurimin e energjisë mujore nëse u referohemi vlerave që kanë rezultuar nga dy muajt e kaluar.
Disclaimer: To consult directly the article click its original source. The authorship of the opinion expressed pertain to their specific author. While every effort has been made by Esc Adriatic to ensure the accuracy of which publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations will differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For any specific technical or legal advice on the information provided and related topics, we offer to direct communication through the “info@albaniaenergy.org”.