ERE i vë afat OSHEE-se: Pas 30 shtatorit energjia duhet të blihet online, Revista Monitor, 17 Gusht 2017
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) duhet të ketë bërë gati një platformë për blerjen e energjisë online brenda datës 30 shtator të këtij viti.
Sipas një vendimi që Enti Rregullator i Energjisë kishte marrë në qershor të vitit të kaluar OSHEE duhet të aplikonte blerjet online të energjisë me qëllim uljen e kostove qysh vitin e kaluar, por Operatori i Shpërndarjes nuk ka mundur ti respektojë këto afate duke aplikuar ankandet me negocim për blerjen e energjisë.
OSHEE sh.a. ka raportuar në Entin rregullator se grupi i punës është ngritur me qëllim krijimin e platformës online për blerjen online të energjisë elektrike dhe është hapur procedura me objekt “Ndërtimi i platformës elektronike të publikimit të të dhënave të blerësit dhe shitësit në funksion të blerjes/shitjes së energjisë elektrike”.
Ekonomizimi i blerjes së energjisë bëhet i domosdoshëm në këtë periudhë kur kriza e prodhimit të energjisë ka rritur shpenzimet për import.
Sasitë e mëdha të prokurimeve të energjisë jashtë vendit dhe në situatë emergjence kanë bërë që çmimet e importit të energjisë të jenë disa raste më të larta se në bursat rajonale.
Rregullorja e ERE e miratuar qysh vitin e kaluar kërkon krijimin e një platformë IT online që duhet të përdoret nga OSHEE për të gjitha ndërveprimet me tregtarët e Energjisë Elektrike në procesin e blerjes.
Kjo platformë duhet të jetë e aksesueshme për përdoruesit online. OSHEE duhet të drejtojë kalendarin e ofertave dhe regjistrin e tregtarëve të energjisë elektrike. Të gjitha ofertat, koha e paraqitjes dhe detajet e ofertës duhet të ruhen në sistem për një afat 5 vjeçar.
Paraqitja e ofertave nga tregtarët e Energjisë Elektrike, bëhet online në sistem sipas një hyrje të paracaktuar në ditën e paraqitjes së ofertave. Koha e hapjes dhe e mbylljes duhet të publikohen në Kalendarin e Ofertave.
Sipas rregullores së tregtimit online shqyrtimi i plotësimit të ofertave dhe vlerësimi i tyre, duhet të bëhet në mënyrë automatike përmes sistemit online të IT. Rezultatet e procedurave të tenderimit duhet të paraqiten në mënyrë automatike në ERE për shqyrtim dhe duhet të përmbajnë tregtarët e Energjisë Elektrike të cilët kanë paraqitur ofertat, të gjithë informacionin në dispozicion të ofertave të marra dhe ofertat e përzgjedhura. Gjithashtu OSHEE nëpërmjet sistemit online të IT duhet të publikojë rezultatet e blerjes në mënyrë anonime dhe të grumbulluar, me çmime mesatare dhe sasitë e blera për procedurat e blerjes.
Importi i energjisë ka kushtuar dy muajt e fundit rreth 54 milionë euro, teksa pritet që shpenzime të larta të kryhen prej thatësirës që po pengon prodhimin vendas.
Disclaimer: While every effort has been made to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations will differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For specific technical or legal advice on the information provided and related topics, please contact the editor at the “info@albaniaenergy.org”.