Kontroll dhe masa për të gjitha pikat e palicencuara të karburanteve, Bashkia Tirane, 9 Gusht 2017
Bashkia e Tiranës ka nisur aksionin për mbylljen e pikave të karburantit, të cilat e ushtrojnë aktivitetin e tyre pa licencë. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, ndoqi nga afër aksionin për mbylljen e një prej pikave të karburantit pranë zonës së Pallatit me Shigjeta, ndërkohë që puna ka vijuar me bllokimin edhe të dy pikave të tjera, një në Sauk dhe një tjetër pranë digës së Liqenit Artificial.
Mazniku shprehu vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës për të mbyllur të gjitha ato pika, të cilat nuk respektojnë kriteret ligjore. Ai deklaroi se një situatë e tillë, ku bizneset të cilat shesin karburant, nuk paguajnë detyrimet kundrejt shtetit, nuk mund të vijojë. “Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, karburantet në qytetin e Tiranës duhet të pajisen me një licencë nga Bashkia e Tiranës dhe të paguajnë detyrimet e tyre për funksionimin në këtë qytet. Deri tani, në Bashkinë e Tiranës funksionojnë 173 karburante, ku pothuajse asnjëri nuk ka nisur procesin e aplikimit për t’u pajisur me këtë licencë, duke mos kryer kështu detyrimet ndaj qytetit. Ne po kërkojmë që çdo qytetar, familje, biznes i vogël të paguajë detyrimin ndaj qytetit, prandaj nuk mund të lejojmë që bizneset e mëdha dhe bizneset që shesin karburante të funksionojnë pa paguar detyrimet ndaj qytetit. Këto janë të gjitha të ardhura që më pas shpenzohen për çerdhe, kopshte, lulishte, parqe”, tha Mazniku.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se pikave të tregtimit të lëndëve djegëse u është dhënë kohë e mjaftueshme që të pajisen me dokumentacionin e kërkuar. “Çështja kryesore pse kemi ardhur në këtë pikë, është sepse në diskutime të vazhdueshme me Shoqatën e Hidrokarbureve, por edhe me kompanitë e ndryshme, kemi kërkuar që t’i japim kohën që të bëjnë procesin e aplikimit. Ka pasur një diskutim gjyqësor para rreth 1 viti, i cili tashmë ka mbaruar. VKM është rinovuar në vlerat e reja dhe tani nuk ka më arsye pse kjo çështje të vijojë”, u shpreh ai.
Mazniku u bëri thirrje të gjitha pikave të shitjes së karburanteve që të aplikojnë për licencim dhe të paguajnë detyrimet. “Nuk ka më asnjë arsye pse bizneset të mos aplikojnë për marrjen e licencës dhe të pagesës së këtyre detyrimeve. Ky është një aksion që do të vijojë në ditët në vijim dhe u bëjmë thirrje të gjitha pikave të karburantit në qytet të vijnë pranë bashkisë e të aplikojnë për licencim, të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm, të marrin licencën, të paguajnë detyrimet dhe më pas të vijojnë punën në mënyrë normale”, u shpreh ai.
Duke u ndalur në numrin e pikave të karburantit të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në kryeqytet, që në jo pak raste kanë krijuar probleme edhe me sigurinë, Mazniku tha se do të shqyrtohen rast pas rasti edhe nga ana urbanistike. “Daljet janë një ndër çështjet e tjera, të cilat nuk kanë lidhje vetëm me licencimin, kanë të bëjë me lejet që karburantet duhet të kenë për të funksionuar në qytet dhe për të pasur akses në hyrje-dalje. Ato do të gjykohen nga pikëvështrimi urbanistik, rast pas rasti, dhe sipas mundësisë që kanë rrugët për të lejuar aksesin, për të hyrë apo për të dalë. Ajo është një çështje e cila është kryesisht urbanistike dhe nuk ka të bëjë rrënjësisht me çështjen e licencës”, nënvizoi nënkryetari i Bashkisë.
Në Tiranë numërohen 173 karburante të cilët kanë probleme me sigurinë në zona urbane, burim aksidentesh dhe cilësi që lë për të dëshiruar. Institucionet e Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim edhe me organet e tjera shtetërore do të kryejnë kontrolle të vazhdueshme dhe do të bllokojnë të gjithë këto aktivitete tregtare, deri në pajisjen e tyre me dokumentacionin përkatës dhe shlyerjen e detyrimeve të taksave të parashikuara nga aktet ligjore e nënligjore.
Disclaimer: While every effort has been made to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations will differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For specific technical or legal advice on the information provided and related topics, please contact the editor at the “info@albaniaenergy.org”.