Licencat e gazit, caktohen çmimet – Lejet për furnizim 1 milionë lekë, për tregtim 400 mijë lekë, Lorenc Rabeta/SCAN, 09 Gusht 2017
Licencat për shpërndarje dhe furnizim të gazit natyror do të kushtojnë 1 milionë lekë, ndërsa licenca për tregtim do të kushtojë 400 mijë lekë.
1 milionë lekë do të kushtojnë edhe licencat për operim në hapësirat e depozitimit si dhe në impiantet e gazit natyror.
Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar procedurat e dhënies së licencave të operimit në sektorin e furnizimit me gaz, ku ka përcaktuar çmimet për çdo lloj licence, por edhe rastet kur kompanive u hiqet licenca.
Rregullorja i jep të drejtë Entit Rregullator të Energjisë edhe nisjen e procedurave të heqjes së licencave të operatorëve që nuk përmbushin kërkesat e përcaktuara me ligj.
Ndërkaq, Enti ka ashpërsuar ndjeshëm gjobat ndaj kompanive të furnizimit me gaz, që nuk respektojnë kushtet teknike dhe të sigurisë ndaj konsumatorëve.
Shkalla e gjobave të reja shkon nga 0,1% deri në 0,5% të të ardhurave vjetore të vitit paraardhës të subjektit që kryen shkeljet.
Me gjoba do penalizohen një seri shkeljesh, që nisin nga mosrespektimi i rregullave të cilësisë, te ato të sigurisë teknike, deri te mospublikimi i të dhënave të nevojshme për konsumatorët.
Disclaimer: While every effort has been made to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations will differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For specific technical or legal advice on the information provided and related topics, please contact the editor at the “info@albaniaenergy.org”.