Energjia diellore, përcaktohet çmimi i blerjes nga shteti, Botuar nga Gazeta Dita me 03 August 2017
Energjia e prodhuar nga impiantet diellore me fuqi deri në 2 mega do të blihet nga shteti me çmimin 100 euro për megavat. Enti Rregullator ka miratuar tarifat, me të cilat shteti është i detyruar të blejë energjinë e prodhuesve privatë, jo vetëm për panelet diellore, por edhe për parqet eolike. Sipas vendimit, për energjinë e erës çmimi i blerjes është 76 euro për megavat dhe do të zbatohet për të gjitha parqet eolike me kapacitet deri në 3 megavatë. Përgjatë 10 viteve të fundit, thuajse të gjitha investimet private në burimet janë kanalizuar në ndërtimin e hidrocentraleve.
Por, veçanërisht muajt e fundit po vihet re një rritje e interesit për parqet diellore dhe ato të erës. Vetëm muajin e kaluar, në Ministrinë e Energjisë janë paraqitur 5 projekte për ndërtimin e impianteve fotovoltaike, të cilat prodhojnë energji nga dielli në zona të ndryshme të vendit. Të gjitha këto projekte do të shqyrtohen nga Ministria e Energjisë dhe, nëse rezulton se përmbushin kushtet ligjore, atëherë Ministria i miraton duke i hapur rrugë ndërtimit.
Ekspertët në Ministrinë e Energjisë thonë se, për shkak të klimës, në Shqipëri energjia diellore ka rendiment të lartë. Për të gjitha parqet diellore nën 2 mega dhe ato të erës nën 3 mega, qeveria do të blejë energjinë me çmimet e përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë. Por nga projektet e paraqitura ka edhe raste kur bizneset duan ta ndërtojnë panelin diellor për nevojat e veta energjetike, pasi ulin kostot.
Disclaimer: While every effort has been made to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations will differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For specific technical or legal advice on the information provided and related topics, please contact the author at the “info@albaniaenergy.org”.