MEI shpall fituesit e dy koncesioneve në Bushtricë, vlera e investimit rreth 10 mln USD, Revista Monitor, 25 Korrik 2017

Ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) shpalli fituesit e dy koncesioneve për hidrocentralin Bushtrica 2 dhe Bushtrica 3, të cilat ishin shpallur për shprehje interesi para dhe gjatë fushatës elektorale. Vlera e investimit për të dy HEC-et llogaritet në rreth 10 milionë USD.

Por cilat janë kompanitë që kanë fituar të drejtën për këto koncesione dhe ofertat e tyre që i kanë shpallur fitues. Kujtojmë që sasinë më të madhe të pikëve e merrte fuqia e instaluar e propozuar dhe tarifa koncesionare.

Bushtrica 2

Për hidrocentralin Bushtrica 2 janë paraqitur dy oferta. E para nga shoqëria “2T” sh.p.k. që është skualifikuar pasi sipas MEI nuk ka paraqitur dokumentacionin e plotë. E dyta që është dhe kompania fituese është bashkimi i përkohshëm i Shoqërive “Doko” sh.p.k. dhe “Erniku” sh.p.k. Sipas ofertës së kësaj kompanie fuqia e instaluar është parashikuar 4060 kW me prodhim të parashikuar prej 18,553,391 kWh. Vlera e tarifës koncesionare është në nivelin  2.02% (374,778 kWh).

Afati për zbatimin e kontratës është caktuar në 12 muaj dhe vlera totale e investimit pa TVSH është 600 milionë lekë.

Bushtrica 3

Ministria ka dhënë detaje edhe për fituesit e koncesionit Bushtrica 3.  Edhe në këtë procedurë pjesë e garës janë bërë dy kompani. E para shoqëria “Restaurim Gurra – Kaca” sh.p.k. e cila është skualifikuar pasi nuk ka dorëzuar gjithë dokumentacionin e kërkuar dhe e dyta bashkimi i përkohshëm i shoqërive  “Vega” sh.p.k., “Enolio” sh.p.k. dhe “EL-BU 2009” sh.p.k. Sipas ofertës fituese me të cilën ministria do te hyjë në negociata fuqia e instaluar e përcaktuar në projekt është 6700kW me një prodhim 28,268,538 kWh dhe një vlerë tarifë koncesionare prej 2.1% (593,639 kWh). Koha e zbatimit të projektit është ofruar 24 muaj dhe vlera e investimit rreth 560 milionë lekë pa TVSh.

Të dy koncesionet janë të formës partneritet publik privat dhe me një afat 35 vjeçar. Aktualisht Ministria e Energjisë ka hapur garën edhe për hidrocentralin e katërt në pellgun ujëmbledhës të Bushtricës kurse në Komisionin e Prokurimit Publik rezulton i ankimuar procesi për Bushtrica 1 nga kompania 2T sh.p.k.

Në fazë vlerësimi janë edhe disa koncesione të tjera si Kalivaçi, Gojan, Luniku, Grabovë 1 dhe 2.

Disclaimer: While every effort has been made to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations will differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For specific technical or legal advice on the information provided and related topics, please contact the editor at the “info@albaniaenergy.org”.

Most Read Publications

No post found

Most Visit Sections

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.