Kosovë, 6 HEC-e të reja në Lepenc, Agjensia e lajmeve ekonomia, Postuar me 29 Qershor 2017

Bukuritë natyrore të lumit Lepenc do të degradohen pas ndërtimit të gjashtë Hidrocentraleve në lumin Lepenc.

Edhe pse muaj më parë banorët e Kaçanikut dhe të Ferizajt, protestuan kundër ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Lepenc, ZRrE-ja, ka vazhduar me lëshimin e lejeve për hidrocentrale.

Adelina Murtezaj-Bajrami, Zyrtare për Marrëdhënie me Publik në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE), tha se deri më tani ZRRE ka lëshuar gjashtë autorizime finale për ndërtimin e Hidrocentraleve në lumin Lepenc, të cilat janë në faza të ndryshme të ndërtimit sipas afateve ligjore të përcaktuara me Leje Ndërtimore komunale dhe Autorizimin Final të Lëshuara nga Bordi i ZRRE-së.

Ndërsa lidhur me kundërshtitë e komuniteti lokal ndaj HC-ve, Murtezaj-Bajrami, tha se procesi i Autorizimeve, për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë nga Burimet e Ripërtritshme të Energjisë (BRE), i nënshtrohet Legjislacionit primar dhe atij sekondar për rregullimin e sektorit të Energjisë në Republikën e Kosovës.

“Konkretisht procedura e lëshimit të autorizimeve është e definuar në Rregullën e procedurës së autorizimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja bazuar në burimet e ripërtritshme të energjisë. Bazuar në këtë Rregull, pas kompletimit të aplikacionit, aplikuesi është i obliguar të publikoj në dy gazeta ditore njoftimin për përmbajtjen e aplikacionit dhe njoftimin se çdo palë mund të shpreh interes apo të kundërshtojë projektin pran Rregullatorit, brenda 7 ditësh kalendarike që nga data e publikimit të njoftimit”, tha ajo për RTKlive.

Ajo bëri me dije se për asnjë nga projektet për të cilat është lëshuar autorizimi final ZRRE nuk ka marrë ndonjë kundërshtim dhe si rrjedhojë ka konsideruar aplikacionet si të kompletuar dhe bazuar në Rregullën në fjalë ka lëshuar autorizimet finale.

Kurse kryetari i Partisë Ekologjike të Kosovës (PEK), Arif Krasniqi, tha se kjo parti konform programit që ka vazhdimisht promovon idenë që të futet në përdorim prodhimi i energjisë nga burimet alternative, siç është uji, era etj.

“Mbi lumin Lepenc janë lëshuar leje për ndërtimin e disa mini-hidrocentraleve për prodhimin e energjisë elektrike. Në parim, ndërtimi i tyre duhet ndërtuar konform standardeve evropiane të parapara dhe të precizuara në detalet më të vogla’, tha Krasniqi për RTKlive.

Sipas tij përveç një degradimi të mjedisit, i cili objektivisht duhet të ekzistojë, nuk pritet ndotje të madhe pasi çfarë kemi nga termocentralet e Kosovës.

“Mendoj se degradimi dhe ndotja duhet të jenë të ekuilibruara karshi përfitimeve ekonomike nga këto investime, te cilat nuk janë edhe të vogla”, tha Krasniqi.

Ndërsa banori i kësaj ane, Naser Laçi, tha se megjithëse se ka dërguar vërejtjet në institucionet gjegjëse asnjë përgjigje nuk kanë marr. “Unë kam bërë ankesë na ministritë gjegjëse si dhe Kuvendin Komunal të Kaçanikut, por deri më tani nuk kam marrë asnjë përgjigje nga to”, tha ai për RTKlive.

Sipas tij me nderimin e hidrocentraleve mbi lumin Lepenc, do të ketë dëmtim dhe degradim të ambientit.

Karakteristikat e lumit Lepenc

Lumi Lepenc është lum që graviton në pellgun e detit Egje dhe është degë e Vardarit. Lepenci buron në shpatet veriore të malit Sharr tek Oshllaku në 2.212 m.

Në pjesën e sipërme prej burimi deri tek lokaliteti i Brezovicës ka formuar grykë të ngushtë. Për shkak të pjerrtësisë në këtë pjesë, lumi është i shpejt dhe i rrëmbyeshëm, ndërsa procesi eroziv intenziv. Nga Brezovica zbret në pellgun e parë të Siriniqit, i cili është i gjatë 11 km dhe i gjerë 2 km. Është njëra ndër hapësirat më atraktive për banim.

Prej grykës së Brodit hyn në pellgun e Soponicës, i cili shtrihet prej fshatit Doganaj deri tek Kaçaniku. Këtu lumi arrin gjerësinë më të madhe. Prej Kaçanikut merr drejtim jugor. Në këtë pjesë formon grykën më të thellë dhe më të bukur në mes malit Sharr dhe Karadakut të Shkupit të quajtur Gryka e Kaçanikut. Nëpër të kalon magjistralja e Adriatikut dhe hekurudha e cila lidhë Kosovën me Maqedoninë. Pjesa më e ngushtë e sajë shtrihet prej Kaçanikut deri në Hani të Elezit me gjatësi prej 12 km. Gjatësia e gjithëmbarshme e grykës është 24 km.

Lepenci pasurohet me rrjedha të shumta që zbresin nga malet. Degë më e rëndësishme e Lepencit është Nerodimja, që njihet edhe me Bifurkacionin . Ai buron në malin e Nerodimës dhe në afërsi të Ferizajt, kur bashkohet me Lepencin në Kaçanik. Nerodimja është e gjatë 41km ndërsa sipërfaqe, e pellgut arrin 228km katrorë.

Lepenci ushqehet kryesisht me shkrirjen e borës e më pak me reshje. Maksimumin e prurjes e arrin në pranverë pas shkrirjes së borës, ndërsa minimumi ne verë.

Lepenci në territorin e Kosovës është i gjatë 53 km, sipërfaqja e pellgut 607 km katrorë, kurse prurja mesatare vjetore 7,9 m kub në sekondë.

Disclaimer: While every effort has been made to ensure the accuracy of this publication, it is not intended to provide legal advice as individual situations will differ and should be discussed with an expert and/or lawyer. For specific technical or legal advice on the information provided and related topics, please contact the editor at the “lorenc_gordani@albaniaenergy.org”.

Most Read Publications

Most Visit Sections

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.