Nafta e ARMO-s dominoi 34% të tregut në pesëmujor, po cilësia?! Revista Monitor, 20 Qershor 2017
Rivënia në punë e rafinerisë së ARMO-s ka sjellë ekspansion në konsumin e naftës së prodhuar në vend. Sipas të dhënave konfidenciale nga doganat, gjatë 5-mujorit, konsumi i naftës në treg arriti 207 mijë tonë, me një rritje 6.2% më shumë se një vit më parë.
Në këtë sasi, mbi 72 mijë tonë naftë e prodhuar nga rafineritë vendase, kryesisht ARMO dhe mbi 135 mijë tonë janë importi. Zhdoganimet e karburanteve shihet të kenë rënë me rreth 30% për 5-mujorin si pasojë e furnizimit të tregut me naftë e vendit.
Në shtator të vitit të kaluar, Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO. Kompania rezulton e regjistruar off-shore në ishujt britanikë Virgin.
Në të njëjtën periudhë, prodhuesi më i madh i naftës në vend, Bankers Petroleum njoftoi se nënshkroi një marrëveshje me Jonian Refining dhe Trading për t’i shitur asaj deri në 65% të prodhimit të naftës bruto tek IRTC.
Ndryshimi ishte i dukshëm në muajt e parë të këtij viti, ku nafta vendase plotëson një të tretën e nevojave të tregut, duke zëvendësuar importet.
Por përdorimi kaq masiv i naftës vendase ka krijuar shqetësim tek konsumatorët nëse cilësia është në nivele të pranueshme për t’u përdorur nga automjetet. Numri i lartë i makinave që nxjerrin tym të zi është dukshëm i verifikueshëm me sy të lirë kudo në rrugë.
Ministria e Energjetikës, e cila mbikëqyr dhe rregullon ligjërisht të gjithë zinxhirin, thotë se cilësia duhet të përmbushet, por nuk e pohon faktin se a zotërohet realisht cilësia.
Sipas ligjit, tregtimi i nënprodukteve të naftës bruto nga rafineritë kryhet vetëm pas certifikimit që bën Inspektorati Qendror Teknik (tanimë quhet Inspektorati Shtetëror Tekniko-Industrial). Në çdo rast, tregtimi i diezelit 10 ppm në Shqipëri, duke filluar nga 1 janari 2009 (në bazë të V.K.M nr. 147, datë 21.03.2007) duhet të realizohet vetëm në bazë të standardit në fuqi të BE-së, i cili është EN 590. Pra, pavarësisht origjinës së diezelit 10 ppm (importi ose prodhimi vendas), ai duhet të plotësojë të gjithë kërkesat e standardit në fuqi, ka sqaruar më herët për ‘Monitor’, Ministria e Energjetikës.
Norma e lejuar e squfurit është 10%, por kontrollet e IQT kanë konstatuar se kjo normë, në disa raste në pikat e pakicës, është edhe 200%, ndërsa pika e flakërimit, në rastin më të mirë ka rezultuar 44 nga 55 që është norma. Ekspertët e fushës shpjegojnë se kjo ndodh me abuzimin që krijohet nga tregtimi i naftës vendase. Për të ulur nivelin e squfurit, rafineritë përdorin shumë hollues, që më tej dëmtojnë pikën e flakërimit.
Por puna është se edhe shumë pika të tjera të pakicës e shesin naftën e vendit, por e deklarojnë për naftë importi. Kjo është vërtetuar nga Inspektorati Qendror Teknik, i cili ka penalizuar më shumë se qindra subjekte dy vitet e fundit.