Firmoset rivali i “TAP” – “Poseidon”, do transportojë gazin rus nga Kaspiku në Itali, Roel Korkuti/SCAN, 03 Qershor 2017
Kompania italiane Edison, ajo ruse Gazprom dhe grekja Depa, nënshkruan fazën e dytë të punimeve për ndërtimin e gazsjellësit “Posedion”, që do të transportojë gazin rus në Itali.
Faza përfundimtare ndërkohë, projektohet për në fund të vitit të ardhshëm. Fati i Posedion ende nuk është i sigurt, por palët shprehen të bindur se ky projekt do të realizohet.
Ky gazsjellës do të ketë një kapacitet prej 15 miliardë metër kub gaz në vit, dhe do të kalojë përmes detit Kaspik, Lindjes së Mesme, nëpërmjet Turqisë dhe Greqisë.
Gazsjellësi do të jetë 800 kilometra i gjatë, me 600 kilometra në tokë, dhe 200 kilometra në det.
Në tërësi, i gjithë projekti duket si një rival i mirëfilltë i gazsjellësit Trans Adriatik që do të kalojë përmes Shqipërisë.
Ky projekt jo vetëm që kalon thuajse në të njëjtat rajone, me përjashtim të Shqipërisë, por rivalizon edhe burimin e gazit.
Ndërkohë që TAP shërben për të ulur varësinë e Europës ndaj gazit rus, gazsjellësi “Poseidon” vulos përfundimisht këtë varësi, duke qenë se ka një kapacitet prej 5 miliardë metër kub gaz më shumë se TAP.