Qëllimi i Samitit të Triestes – Rritja e investimeve dhe hapja e 80 mijë vende pune deri në 2025, Entela Barjamaj/SCAN, 25 Maj 2017
Ministri Bushati mori pjesë në takimin përgatitor të Samitit të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Trieste më 12 korrik të këtij viti. Samiti i Triestes ka si qëllim që të afrojë më tej vendet e rajonit me Bashkimin Europian, përmes konkretizimit të angazhimeve të marra në Samitet e mëparshme, sidomos për sa i përket projekteve infrastrukturore dhe energjetike, por edhe duke skicuar instrumente të reja për zhvillimin ekonomik të rajonit.
“Është e nevojshme që të gjitha vendet pjesëmarrëse të kontribuojnë për të konsoliduar arritjet e Procesit të Berlinit si nga pikëpamja e dialogut politik ashtu edhe nga ajo e zbatimit të projekteve të ndërlidhjes në transport dhe energji”, deklaroi Bushati.
Ministri Bushati përshëndeti përkushtimin e palës italiane për mbarëvajtjen e Samitit si dhe mirëpriti propozimet novatore të kryesisë italiane në përgatitjen e masave konkrete në fushën e inovacionit dhe zhvillimit të kompanive të vogla dhe të mesme në rajon.
“Kjo qasje pragmatiste është e vetmja që mund të rrisë aftësinë e rajonit për të qenë më konkurrues dhe për të thithur investime, duke sjellë zhvillim dhe punësim”, u shpreh Bushati.
Aktualisht, Komisioni Europian po punon mbi një plan masash për lëvizjen e lirë të punonjësve, rritjen e investimeve dhe lehtësimin e tregtisë në rajon, duke synuar krijimin e rreth 80 mijë vendeve të reja pune deri në vitin 2025. Pritet që ky plan masash dhe instrumentet financiarë përkatës të propozohen gjatë Samitit të Triestes në muajin korrik.