“Rikthehet” Kalivaçi – Ministria e Energjisë pret oferta për koncesionin, Nertila Maho/SCAN, 26 Maj 2017
Një nga kontratat më të lakuara të koncesioneve të hidrocentraleve, ajo e Kalivaçit, është rikthyer sërish në vëmendje. Këtë herë për faktin se Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka shpallur tenderin duke pritur oferta për ndërtimin e hidrocentralit që ka 20 vjet që zvarritet.
Në dokumentet e tenderit specifikohet pjesa ku mendohet të ngrihet hidrocentrali që përkon me rrjedhën e poshtme të Lumit Vjosë në kuotat a 113 metër mbi nivelin e detit deri në kuotën 73 metra mbi nivelin e detit.
Për të arritur në këtë drejtim përdoret autostrada Levan – Tepelene duke u kthyer djathtas në vendin e quajtur Krahez rreth 10 kilometra. Periudha e shfrytëzimit të hidrocentralit do të jetë për një afat 35 vjeçar dhe forma që do të aplikohet do të jetë ajo e partneritetit publik privat.
Edhe pse ka që nga viti 1997 kur është miratuar një vendim për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në fakt zvarritja ka qenë e herëpashershme dhe raportet e mbajtura në terren vit pas viti kanë treguar se ecuria ka qenë modeste.
Në vlerësimin që do t’ju bëhet ofertave nga ana e Ministrisë së Energjisë prioritare është vlerësuar fee-ja( tarifa) koncesionare që do të paguhet cila do të ketë maksimumin e pikëve kurse në vend të dytë ndikimi ekologjik dhe social.