Tecnimont, kompania që la me defekt TEC-in e Vlorës në gjyq me tatimet për detyrimet 2 mln euro, Revista Monitor, 23 Maj 2017

Kompania italiane Tecnimont që ndërtoi termocentralin e Vlorës, i cili më vonë rezultoi me një defekt të rëndë në sistemin e ftohjes duke bërë që objekti mos të futet në punë sot e kësaj dite, është përfshirë në një sagë gjyqësore me Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj për detyrime, gjoba dhe kamatëvonesa që kapin shumen e rreth 320 milionë lekëve (2.2 mln euro) ne Gjykatën Administrative te Apelit.

Sakaq kompania shtetërore e prodhimit të energjisë KESH është në një proces arbitrimi ndërkombëtar me kompaninë Tecnimont për defektin në TEC e Vlorës duke e çuar dëm investimin prej 130 milionë dollarë të qeverisë shqiptare.

Siç shihet nga njoftimet e Gjykatës Administrative të Apelit, Shoqëria Tecnimont Spa Dega ne Shqipëri ka paditur Drejtorinë Rajonale e Tatimpaguesve te Mëdhenj dhe Drejtorinë e Apelimit Tatimor duke kërkuar shfuqizimin e akteve administrative “Njoftim Vlerësimi për Detyrimet Tatimore nr. 1009/5 prot dt. 25.04.2014”, që  e ngarkojnë Degën në Shqipëri të Tecnimont Spa, me detyrime tatimore, kamatëvonesa dhe gjoba si me poshtë:

– Detyrimet shtese për TVSH për vitin 2011 ne shumen 130 373 112 leke.

– Gjoba ne lidhje me TVSH për vitin 2011 ne Shumen 130 373 112 leke.

– Detyrimet shtese për tatim fitim për vitin 2011 ne shumen 2 282 601 leke.

– Zvogëlim i humbjes fiskale për vitin 2011 ne shumen 879 100 444 leke.

– Detyrime shtese për TVSH për vitin 2012 ne shumen 8 055 634 leke.

– Gjoba ne lidhje me TVSH për vitin 2012 ne shumen 8 055 634 leke.

– Detyrime shtese për tatim fitimin për vitin 2012 ne shumen 3 905 398 leke.

– Gjoba ne lidhje me fitim tatimin për vitin 2012 ne shumen 976 350 leke.

– Zvogëlimi i humbjes fiskale për vitin 2012 ne shumen 1 224 188 leke.

– Si dhe gjobat shtese te nxjerra ne vijim te njoftimi vlerësimit nëpërmjet urdhër pagesave me nr. vlerësimi 18309400123, 18202600694, 18301800214, dt. 06.06.2014

– Gjoba ne lidhje me TVSH sipas urdhërpagesave ne Shumen 32 593 278 leke.

– Gjoba ne lidhje me TVSH sipas urdhër pagesave ne shumen 2 013 909 leke.

– Gjoba ne lidhje me tatim fitimin sipas urdhër pagesave ne shumen 87 124 leke.

KESH gjendet aktualisht në procedura ligjore kundër kompanisë ndërtuese Tecnimont duke pretenduar se defekti në Termocentralin e Vlorës është pasojë e një konceptimi inxhinjerik të gabuar, gjë që e ka nxjerrë impiantin 130 milionë dollarësh efektivisht jashtë funksioni.

Sipas KESH defekti i parë ndodhi më ndodhi më 13 tetor 2009, pas një stuhie në gjirin e Vlorës.

“Defekti shkaktoi hapjen e tubit në një distancë rreth 270 metra nga bregu i detit dhe mbushjen e tij me rërë. Ky defekt u riparua nga kompania kontraktore TCM dhe punimet përfunduan në korrik të vitit 2011”, thotë KESH.

Por pak muaj më vonë, një defekt tjetër ndodhi. Sipas KESH, më 7 janar 2012, sistemi i ftohjes ndaloi papritmas së funksionuari.

Një mosmarrëveshje lindi mbi shkakun e defektit. Sipas KESH, defekti duhej të riparohej nga kompania Tecnimont, e cila pati fituar tenderin dhe ndërtuar termocentralin. Por kompania refuzoi të kryejë riparimin.

Sipas KESH, ajo deklaroi se defekti është shkaktuar nga një gabim në operimin e impiantit. KESH reagoi duke bllokuar një garanci prej 5 për qind. Kompania iu përgjigj duke iu drejtuar gjykatës së arbitrazhit. Në fund, gjykata e arbitrazhit i dha TCM të drejtë dhe e shpalli KESH-in fajtor. KESH thotë se ka në plan të hapë një procedurë të dytë arbitrazhi kundër kompanisë.

Në vitin 2012 kontraktori Tecnimonti, pasi dështoi në vënien në punë të impiantit të ftohjes së TEC Vlora, u tërhoq nga punimet duke e braktisur veprën.

Ekspertë të KESH pretendojnë se kompania italiane Tecnimont përveçse shtyu afatin e përfundimit të punimeve me mbi një vit, u detyrua të ndërtojë dy herë tubin e marrjes së ujit në det dhe në fund, iku ndërsa tubi vijon të jetë i prishur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.