Dalin në ankand godinat e ish Universitetit Kristal për 950 mijë euro, Revista Monitor, 22 Maj 2017

Trualli dhe ndërtesa e ish Universitetit Kristal, në afërsi të Rinasit, kanë dalë për shitje përmes ankandit.

Është shoqëria përmbarimore Zike, ajo që për llogari të bankës Credins ka bërë shpalljen e ankandit, teksa kompania Kristal nuk ka shlyer një kredi aftagjatë, edhe pas ristrukturimit të saj.

Në shitje ka dalë një pasuri arë me sipërfaqje 1866 metra katror, me një çmim fillestar prej 8.1 milionë lekë, sipas vlerësimit të ekspertit.

Prona e dytë, me vlerë të lartë është pasuria truall + ndërtesë, ku trualli ka një sipërfaqe prej 4 mijë metra katror dhe ndërtesa 625 metra katror. Çmimi me të cilin fillon ankandi është rreth 122 milionë lekë.

Në total, çmimi i të dy pronave është rreth 130 milionë lekë, apo rreth 950 mijë euro.

Data e fundit e ankandit është 5 qershori.

Rritja dhe rënia e Univesitetit Kristal

Universiteti privat Kristal ishte një ndër më të mëdhenjtë privatë në vend, deri në vitin 2013, kur atij iu hoq licenca nga Ministria e Arsimit, së bashku me 17 shkolla të tjera të larta jo publike, për mospërmbushje të standardeve të arsimdhënies. Për vitin 2013, shkolla kishte deklaruar të ardhura prej 4.5 milionë eurosh, duke u renditur e treta, pas Albanian University dhe UET.

Në shtator të vitit 2014, kompania pezulloi statusin e saj, ndërsa ka qenë vazhdimisht në radarin e përmbaruesve, për detyrimet e shumta që kishte.

No post found

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.