Energji nga era, zonat e preferuara Shëngjini dhe Karaburuni, Top Channel, 11 May 2017

Tepelena do të jetë parku i parë eolik në Shqipëri që do të prodhojë energji nga era me një kapacitet 13 megavat. Por qeveria synon të nxisë më shumë investime të tilla, që zbusin varësinë nga burimet hidrike dhe paralelisht me këtë ulin humbjet në rrjet pasi delokalizojnë prodhimin e energjisë nga veriu, që është aktualisht në drejtim të jugut.

“Bastionet e erës ndodhen këtu afër Shëngjinit, ndodhen në bregdetin shqiptar, ndodhen sidomos në Karaburun, që është zona më fizibël për të vendosur sisteme eolikë”, deklaron Gjergj Simaku, nga Ministria e Energjitikës.

Ndryshe nga energjia e erës, për energjinë nga dielli harta është e pakufizuar. “Shqipëria rrihet nga dielli për shumë ditë gjatë vitit dhe ka krijuar një mundësi spektakolare lidhur me vendosjen e këtyre paneleve fotovoltaikë. Koncepti strategjik është të vendoset sa më afër konsumatorit ose ta prodhojë vetë konsumatori”, thotë Simaku.

Për impiantet diellore deri në 2 mega dhe ato të erës nën 3 mega, qeveria ka vendosur të sigurojë tregun me një tarifë të rregulluar që do të vendoset nga ERE.

“Kjo tarifë është më e lartë se sa tarifa e shitjes me shumicë në tregun e rregulluar shqiptar, por u thotë investitorëve të vegjël që të prodhojnë energji me një kosto të përcaktuar nga ne, mbështetur mbi një kontratë të parablerjes së energjisë”, thotë Simaku.

Për sistemet e mëdha investitorët futen në ankand dhe përzgjidhet ai që jep çmimin më të ulët të energjisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.