Bashkëpunimi Shqipëri – Kinë, 1000 biznesmenë kinezë në Shqipëri, që nga 2012-ta, Nertila Doko/SCAN, 12/05/2017
Në vitin 2017 sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, pritet të zhvillohet sesioni i 9-të i Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Kinë “Për bashkëpunimin ekonomik”. Në vitet e fundit, vihet re një interesim i biznesit kinez për vendin tonë.
Sipas të dhënave të regjistrit tregtar numri i ndërmarrjeve kineze apo të përbashkëta në Shqipëri është 115. Nga viti 2012 deri më sot, rreth 100 delegacione biznesit dhe më shumë se 1000 biznesmenë kinezë kanë vizituar Shqipërinë.
Vizitat kanë qenë kryesisht për të parë mundësitë konkrete për investime, tregti, projekte apo mundësi të tjera për investime dhe bashkëpunim me Shqipërinë. Në fokus të tyre janë projektet në fushën e energjetikës, infrastrukturës, portet, minierat, në fushën e akuakulturës, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Bashkëpunimi ekonomik mes Kinës dhe Shqipërisë pritet të zgjerohet më shumë edhe në kuadër të projektit “Një Brez – një Rrugë”, pas interesit të Shqipërisë për tu përfshirë në mënyrë aktive në këtë iniciativë.
Rruga e “Mëndafshit” e shekullit të 21 ka një pikënisje në Kinë dhe pritet që pika përfundimtare të jetë Shqipëria (në Adriatik).