Spitalla zonë e lirë, ofrohen dy kompani shqiptare, Top Channel, 04 Maj 2017

Pas tre tentativash të dështuara, Shqipëria duket se do të ketë zonën e parë të lirë ekonomike. Ministria e Ekonomisë po shqyrton dy oferta të mbërritura për zonën e Spitallës.

“Deri në fund të majit ne do të kemi një fitues për zonën ekonomike të shpallur dhe po të jemi optimistë, mund të themi që korriku, apo fillimi i gushtit do të na gjejë me zhvilluesin në territor”, thotë ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.

Oferta e parë parashikon 30 milionë euro investime për ndërtimin e një fabrike pasurimi të ferro-kromi, kurse oferta e dytë planifikon 93 milionë euro për ndërtimin e kapanoneve industrialë. Të dyja oferta vijnë nga kompani shqiptare.

“Kanë ardhur nga Maqedonia, nga Turqia, nga Malta që kanë marrë informacione për zonën. Fakti është që erdhën sipërmarrje shqiptare, por natyrisht teknologjitë që sjellin në këto sipërmarrje janë padyshim teknologji të huaja”, sqaron ministrja e Ekonomisë.

Përveç investimeve, të dy projektet do të krijojnë edhe vende të reja pune. “Propozimi i parë në harkun e tri viteve shkonte në 12 mijë veta që punësohen, propozimi i dytë në harkun e katër viteve shkonte në 2500 punëtorë që punësoheshin”, thotë Ekonomi.

Por sipas kreut të ekonomisë, përfitimi më i madh nga zona është rritja e produktivitetit.

“Aktiviteti që do të bëhet me ngritjen e kapanoneve industrialë tregon që do të ketë mundësi për të investuar në prodhim dhe shërbime të kualifikuara në Shqipëri, ndërsa pasurimi i ferro-kromit bën të mundur që Shqipëria jo vetëm të mos eksportojë më mineral si pasuri natyrore, por të shtojë dhe vlerë të shtuar në këtë mineral që ajo eksporton”, shprehet ministrja e Ekonomisë.

Bizneset që do të zhvendosin aktivitetin në zonë do të kenë një sërë lehtësirash tatimore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.