Një tjetër port karburantesh në Porto Romano, AIDA, 20/04/2017

Këshilli Kombëtar i Territorit i ka dhënë dritën jeshile ndërtimit të një porti karburantesh në Porto Romano. Bëhet fjalë për ndërtimin e “Portit MBM” përmes një kontrate konçesionare në formën “BOT” (ndërtim, operim dhe transferim i së drejtës së pronësisë dhe operimit, në përfundim të marrëveshjes së konçesionit).

Ky projekt parashikohet të ketë një ndikim pozitiv për Shqipërinë, duke e kthyer në nyje furnizimi të hidrokarbureve edhe për rajonin. Sipas relacionit shoqërues të projektit, kjo do të sjellë  uljen e çmimit të karburanteve në vend për shkak të uljes së çmimit të trasportit dhe çmimeve më të mira nga rafineritë.

Kontrata BOT (ndërtim shfrytëzim dhe transferim) do të jepet për një periudhë 35 vjeçare, me një investim fillestar prej afro 10.2 milion dollarësh dhe në periudhën e fundit pritet të shtohet edhe 40% e vlerës. Qëllimi dhe arsyeja e realizimit të këtij investimit lidhet me një kufizim të kapaciteteve tona përpunuese, veçanërisht për hidrokarburet, që kushtëzohen nga thellësia e kufizuar e porteve tona.

Aktualisht, infrastruktura e kufizuar e terminaleve ekzistuese limiton mundësinë e ankorimit të anijeve çisternë, me kapacitet më të madh se 20 000 tonë. Pikërisht, për të mundësuar këtë, projekti parashikon realizimin në një periudhë afatshkurtër të portit off-shore të ankorimit MBM me thellësi 18 – 20m që mundëson pritjen e anijeve me kapacitet të lartë dhe që vlerësohet të rrisë importet dhe eksportet e karburanteve në 1 milion ton në vit, nga të cilat 40% për eksport.

Zhvillimi i këtij projekti në Porto Romano, ku janë të përqendruar më shumë se 85% të kapacitetit të magazinimit dhe ruajtjes së karburanteve, do të rrisë shfrytëzimin e kapaciteteve të magazinimit, të cilat aktualisht shfrytëzohen në vetëm 60% të tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.