Nga fushë plehrash në impiant të përpunimit të mbetjeve e prodhimit të energjisë. Vepër unike në vend, Kryeministria, 18 Prill 2017

Pjese nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nisjes nga puna të impiantit të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë në Elbasan:

[…] Nga ana tjetër jam realisht shumë i kënaqur që dita që filloi aq keq, mbyllet në mënyrë kaq surprizuese edhe për mua që e kam mbështetur këtë projekt që ditën e parë kur e kemi votuar në Këshillin e Ministrave. Por duhet ta them shumë sinqerisht që, pasi kam dëgjuar prezantimin e ministrit të Mjedisit, më është dukur shumë e bukur për të qenë e vërtetë. I kam thënë në mbledhjen e qeverisë se mbështetjen do ta kesh deri në fund, por çfarë dëgjova, me çfarë do shoh, nuk më duken se do përputhen.

Në fakt, çfarë kam dëgjuar me çfarë po shoh jo vetëm përputhen, por kjo që po shohim i kalon të gjitha parashikimet e bëra.

[…] Sot, kjo është një mortje që i përket të shkuarës.

Jemi këtu për të parë nga afër një impiant që është shëmbëlltyrë kuptimplotë e teknologjisë së fundit dhe padyshim, një investim për të cilën nuk kemi si të mos jemi krenarë. Duke parë parametrat e këtij impianti, duke parë gjithë të mirat që ky impiant do të sjellë jo vetëm për mjedisin, por edhe për ekonominë e qytetit dhe duke parë zinxhirin teknologjik të përpunimit të mbetjeve në rajonin tonë, nga vendi më i degraduar dhe më i prapambetur që ishim në aspektin mjedisor, vendi që bashkëjetonte me bombën ekologjike të Elbasanit, mu në zemër të vet, deri tre vjet e gjysmë më parë, sot jemi në pararojë të transformimit teknologjik. Transformimit teknologjik edhe në funksion të një transformimi mjedisor, për t’i dhënë fund një historie të tmerrshme të kthimit të mjedisit tonë në një hapësirë ku plehrat kanë bërë kërdinë, historikisht, qysh pas rënies së regjimit të vjetër.

Sot, ne kemi një impiant që nuk e ka askush në rajon.

[…] Këtu do të jemi edhe më pas, kur do të vijmë të vizitojmë 600 ha sera ultra moderne në pllajën aty sipër, të cilat do të ndërtohen dhe funksionojnë falë avullit që do të krijohet nga përpunimi i plehrave këtu mbrapa. Të mos e harrojmë se 60% e kostos së serave hidroponike është ngrohja.

Ndërkohë që 60 hektarë sera në një tokë të bashkisë, ku bashkia do të gjejë rrugën e saj për t’i ndërtuar në bashkëpunim me sipërmarrjen private, do jenë me kosto shumë të ulët dhe do të krijojnë vende të tjera pune, do të krijojnë një tjetër hapësirë zhvillimi ekonomik dhe social për gjithë zonën dhe do të krijojë një tjetër shembull të Shqipërisë që Duam.

[…] Diferencimi i mbetjeve në burim është një sfidë për të gjitha Bashkitë e reja, që dolën nga reforma administrative territoriale. Impiante si ky janë një arsye më tepër për të bërë diferencimin në burim dhe për t’i kthyer mbetjet në para për bashkinë dhe ekonominë lokale. Jemi në proces që këtë impiant ta ndërtojmë edhe në Fier, edhe në Tiranë.

[…] Na duhet ende shumë dhe për të bërë më shumë, na duhet të vazhdojmë të mësojmë më shumë. Në fund të ditës, dallimi midis vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim nuk është tek ajo që kanë, por është tek ajo që dinë. Ka vende që s’kanë, por janë të pasura se dinë, ka vende që kanë, siç është vendi i mrekullueshëm që quhet Shqipëri dhe janë të varfra, sepse nuk kanë ditur.

[…] Nga fusha e plehrave që digjeshin në qiell të hapur e helmonin gjithë qytetin, në fushën sanitare të standardeve europiane ku mbetjet shfrytëzohen për prodhim energjie. Ky është realiteti i ri mjedisor në Elbasan, ku sot ka nisur nga puna Impianti i përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë, vepra më e madhe inxhinierike, unike dhe e para e këtij lloji në vendin tonë.

Impianti i realizuar sipas standardeve më të larta europiane do të prodhojë energji elektrike nëpërmjet përdorimit të mbetjeve urbane si lëndë djegëse, duke përzgjedhur teknologjinë më të fundit në fushën e ndërtimit të impiantëve të këtij lloji. Në realizimin e tij morën pjesë me pajisjet më të mira të vitit 2016, firmat më prestigjioze si: SIEMENS, PAUL WURTH, TAMA, PENETRON, ONYX, AVE CONSULTING etj.

Metoda e përdorur për trajtimin e mbetjeve ofron qëndrueshmëri dhe kontribut më të lartë për ruajtjen e klimës sesa metodat tradicionale për trajtimin e mbetjeve siç janë landfill-et. Shfrytëzimi i impiantit sjell një prodhim me kapacitet rreth 2.85 MW/ njësi ose 17.250 milionë MW/ vit për banorët. Ky projekt vlen edhe për biznesin, pasi avulli që gjenerohet nga procesi i përpunimit mund të përdoret në sektorin bujqësor, veçanërisht të shfrytëzohet nga serrat.

Për të përmirësuar nivelin e mjedisit shoqëria ndërtuese ka bërë një rrethim të zonës së impiantit me kurorë të gjelbër, duke mbjellë me bar një sipërfaqe prej rreth 10.000 m2 përqark impiantit, si dhe rreth 1050 pemë dhe fidanë dekorativë e frutorë.

Vënia në punë e impiantit të përpunimit të mbetjeve dhe ndërtimi i landfillit e bëjnë qarkun e Elbasanit një model suksesi për të gjitha qarqet, në drejtim të menaxhimit të integruar të mbetjeve të ngurta urbane.

Shënim: Pronësia dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i përkasin autorit te tyre. Ndërsa të gjitha përpjekjet janë bërë nga ESCo Adriatik për të siguruar saktësinë e këtij publikimi, ai nuk ka për qëllim të ofrojë këshilla ligjore pasi që situatat individuale mund të ndryshojnë dhe duhet të diskutohen me një ekspert dhe/ose avokat. Për çdo këshillë specifike teknike ose ligjore, informacioni i ofruar dhe tema të ngjashme, mund të kontaktoni përmes “lorenc.gordani@euroelektra.al”.

Most Read Publications

No post found

Most Visit Sections

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.