Investimet e huaja direkte në katër vitet e fundit në vendin tonë kanë arritur në nivelin 983 milionë eurove, apo 10.5 % më shumë se një vit më pare, të dhëna që konfirmohen edhe nga Banka e Shqipërisë.
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shqiptare të Investimeve, AIDA, Genti Beqiri, ka komentuar këto të dhëna, duke u shprehur se ato konfirmojnë trendin rritës të parave të injektuara në ekonomi në formën e investimeve të huaja direkte që kanë sjellë rritje të kërkesës së brendshme dhe rritje të punësimit.
Në një njoftim për media, Beqiri shprehet se “Në 1 janar 2016 hyri në fuqi ligji për investimet strategjike si një përpjekje dhe provë kontrete e vullnetit dhe vizionit të qeverisë jo vetëm për të krijuar gjithë mbrojtjen e nevojshme juridike për investitorët, por edhe për të siguruar gjithë asistencën e duhur për kompanitë e huaja dhe vendase. Kjo dhe reformat e tjera u reflektuan fillimisht në ngjitjen e konsiderueshme që shënoi Shqipëria në raportin e fundit të Bankës Botërore “Të bësh biznes” dhe tashmë me shifrën prej gati 1 miliardë eurosh të injektuara në ekonomi, që përbën 10 % të GDP-së, duke dhënë kontribut direkt në rritjen ekonomike”.
Rritja më e madhe e fluksit vërehet në sektorin e energjetikës, falë edhe dy projekteve të rëndësishme, ai i kaskadës së Devollit dhe Gazsjellësi Transadriatik TAP, i cili pritet që deri në vitin 2019 të sjellë në Shqipëri rreth 1.9 miliard euro.
Sipas Beqirit “shifra rekord prej gati 1 miliardë euro e investimeve të huaja direkte është një motivim më shumë për agjencinë për të vijuar misionin e saj jo vetëm në funksion të promovimit të Shqipërisë si një destinacion shumë i favorshëm për investime, por në të njëjtën kohë ofrimi i gjithë asistencës dhe ekspertizës së nevojshme për kompanitë ekzistuese. Në të njëjtën kohë AIDA synon të shtojë kapacitetet e SME-ve shqiptare dhe të mbështesë hapjen e bizneseve të reja përmes fondeve të saj. Inkurajuese janë edhe shifrat e rritjes së eksporteve gjatë vitit 2016.”
Drejtori ekzekutiv i AIDA-s thekson ndër të tjera se aktualisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik po punon për hartimin e një ligji të harmonizuar për investimet, i cili shoqëruar me nisjen e zbatimit të reformës në drejtësi, si edhe të disa investimeve cilësore në fushën e turizmit pritet të sjellin një rritje edhe më të madhe të investimeve në Shqipëri dhe efekte direkte në rritjen ekonomike.