Qeveria shqiptare ka në objektivin e saj të bëjë funksionale një bursë të tregtimit të energjisë brenda këtij viti. Planet fillestare për ngritjen e saj kanë qenë për në mars të këtij viti, mungesa e ekspertizës së thellë teknike dhe përvojës e kanë shtyrë funksionimin e saj për më tej. Me funksionimin e saj, energjia do të tregtohet me çmime reale, teksa prodhuesit publikë dhe privatë të energjisë dhe tregtarët, nga ana tjetër, do të jenë më të qetë, nga ky fakt.

Krijimi i Albania Power Exchange (APEX) do të jetë në përputhje me zbatimin e politikave të energjisë dhe me standardet e Bashkimit Evropian dhe integrimin në tregun rajonal të energjisë. “Tregu shqiptar do të bëhet platforma kryesore për tregtimin e energjisë, duke i dhënë mundësi të gjithë aktorëve vendas të blejnë dhe të shesin energji elektrike shpejt dhe lehtësisht, duke përfshirë edhe tregtimin me vendet e tjera. Bursa Shqiptare e Energjisë pritet të ndihmojë në nxitjen e integrimit të rrjetit elektrik të Shqipërisë me pjesën tjetër të Europës, duke përfshirë edhe vendet fqinje në rajon. APEX gjithashtu do të rrisë transparencën e çmimeve dhe do të përmirësojë klimën e investimeve për projektet e reja të energjisë”, – është shprehur ministri Gjiknuri.

Ndërkohë, Bordi i Entit Rregullator, në fund të janarit ka miratuar specifikat se si do të funksionojë Bursa e Energjisë. Do të specifikohen produktet dhe do të miratohen rregullat e Tregut Shqiptar të Ditës në Avancë dhe rregullat e tregtimit brenda ditës. Enti ka nisur shqyrtimin e rregullores së “Administrimit të tregut” dhe Rregullat për Pagesat dhe Faturimin. Enti ka përfshirë në proces miratimi zonat e import-eksportit.

Shqipëria paraqitet mjaft e vonuar në liberalizimin e tregut të energjisë dhe për këtë, mori kritika në raportin e fundit të progresit të BE-së. Modeli i tregut të Ditës në Avancë (Day-Ahead) është arena kryesore në rajonin nordik dhe baltik për tregtimin e energjisë. Në këtë model tregu, kontratat bëhen ndërmjet shitësit dhe blerësit për dorëzimin e mallit një ditë më parë.

Me këtë model, një blerës duhet të vlerësojë se sa energji do t’i duhet për të përmbushur kërkesat të nesërmen dhe sa është i gatshëm të paguajë për këtë vëllim, orë pas ore. Shitësi, për shembull, pronari i një hidrocentrali, duhet të vendosë se çfarë sasie mund të dorëzojë dhe me çfarë çmimi, orë pas ore.

Këto nevoja pasqyrohen përmes urdhrave nga blerësit dhe shitësit në sistemin e tregtimit në Bursën e Energjisë. Çmimet e çdo ore janë shpallur në mënyrë tipike në treg në 12:42 ose më vonë. Pasi çmimet e tregut janë llogaritur, nga ora 00:00 të nesërmen, kontratat e energjisë janë dorëzuar fizikisht (që do të thotë se malli është siguruar për blerësit) orë për orë sipas kontratave të rëna dakord.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.