Qeveria ka vendosur të shtyjë me afatin e mbrojtjes së posaçme për investimet e huaja. Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka shtyrë deri me 31 dhjetor 2018 afatin që përcaktohej në ligjin për investimet e huaja. Në ligj përcaktohej se afati i fundit ka qenë 31 dhjetori i vitit 2014.

Krahas përcaktimit të afatit të ri të vlefshmërisë së këtij neni, qeveria ka vendosur të shtojë dhe një paragraf ku detajohen procedurat e përfitimit të mbrojtjes së posaçme shtetërore nga investitorët e huaj.

“Mbrojtje të posaçme shtetërore, sipas parashikimeve të neneve 8/b, pikat 1 e 2, 8/d dhe 8/dh, të këtij ligji, përfitojnë automatikisht dhe pa pasur nevojën e ndjekjes së ndonjë procedure apo marrjes së ndonjë vendimi tjetër edhe investitorët/investimet strategjike, procedurë e  veçantë, që kanë marrë këtë status në përputhje me dispozitat e ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë. Këshilli i Ministrave përcakton kufijtë dhe tagrat e zëvendësimit të palëve, në përputhje me nenin 8/b, të këtij ligji” shkruhet në shtesën e ligjit për investimet e huaja.

Si u vendos në ligj mbrojtja e posaçme?

Vendimi për përfshirjen në ligj të nenit për mbrojtjen e posaçme u miratua në vitin 2010 e ka si shkak në ngjarje të ndodhur me një investitor në rajonin e Lezhës, raporton SCAN.

Pavarësisht se Këshilli Kombëtar i Territorit kishte miratuar një projekt investimi ambicioz, ai nuk u realizua dot për shkak se sapo kompania nisi punimet u përball me kundërshtitë e pretendentëve për pronësinë e truallit. Këta të fundit paditën në gjyq investitorin, i cili përballë këtij kundërshtimi u tërhoq duke mos e realizuar projektin. Ngjarja do të bëhej publike nga kryeministri që do të argumentonte edhe nevojën e miratimit të nenit për mbrojtjen e posaçme të investitorëve të huaj, duke pasur në fokus pikërisht zgjidhjen e ngërçit që krijonte problematika e pronësisë në Shqipëri. Në këto kushte, në rastet e investimeve strategjike apo të investimeve madhore, qeveria mund të ofrojë statusin e veçantë, çka nënkupton jo vetëm lehtësira proceduriale por edhe status të veçantë, ku në çështjet gjyqësore që lidhen me pronësinë, qeveria del si palë në gjykatat e vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.