“Phoenix Petrolium” humbet kërkimin e naftës në burimin e Amonices, Tv Klan, 11/03/2017

Zona naftëmbajtëse e Amonicës në Vlorë është rikhyer në duart e shtetit. Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ka urdhëruar kompaninë shtetërore të prodhimit të naftës Albpetrol që të marrë në dorëzim puset e naftës në këtë zonë, duke i hequr të drejtën e kërkimit kompanisë me kapital shqiptar Phoenix Petrolium. Në bazë të një marrëveshjeje hidrokarbure të firmosur në 16 gusht të vitit 2013-të, kompania kishte marrë të drejtën ekskluzive të kërkimit dhe nxjerrjes së naftës dhe gazit në 9 zona.

Një prej vendburimeve më të mëdha që ajo zotëronte ishte pikërisht Amonica, me një prodhim prej 5200 tonësh naftë në vit. Ministria e energjisë njofton se kompania nuk ka përmbushur detyrimet kontraktore dhe përveç dëmtimeve që i ka shkaktuar vendburimit në atë zonë, përbën rrezik për shëndetin e banorëve. Në njoftimin e ministrisë së energjisë sqarohet se po merren masa që firmës t’i hiqen edhe disa vendburime të tjera.

Ky nuk është rasti i parë që kompanitë që marrin naftën e nëntokës shqiptare shkaktojnë pasoja të rënda në mjedis. Prej kohësh edhe banorët në disa fshatra në zonën më të madhe naftëmbajtëse, atë të Patos Marinzës akuzojnë kompaninë Bankers Perolium për dëme mjedisore të cilat rrezikojnë shëndetin e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.