Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE) ka realizuar tenderin për importin e energjisë elektrike për muajin mars, në të cilin u blenë 96,590 MWh kundrejt një vlere 4.6 milionë euro pa TVSH.
Sipas njoftimit zyrtar të OSHEE fituese u shpallen 6 kompani të cilat ofruan një çmim mesatar 47.4 euro për megavatorë. Energjia është blerë me të njëjtin çmim që parashikohet të shitet për muajin mars ne Bursën e Hungarisë, e cila është referenca në tenderët e import eksportit nga kompanitë publike të energjisë.
Në mes të gjashtë kompanive fituese çmimin më të lartë e ka ofruar NOA me 48.8 euro për megavat, ndërsa çmimin me të ulet e ka ofruar AXPO me 42.9 MW/h.
Që vitin e kaluar ka nisur të ofertojë për mbulimin e humbjeve të OSHEE edhe kompania vendase e prodhimit të energjisë Devoll Hydropower. Njësia e tregtimit të Devoll ia shiti energjinë OSHEE me një çmim 47.2 euro për MW/h, vlerë kjo rreth një euro për Mwh më e ulët se, e kompanive të tjera pjesëmarrëse në garë.
HECi i ri i Banjës në lumin Devoll që u vu në punë për herë të parë më 2016 prodhoi 69,848 MW/h.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi vendas shënoi vitin e kaluar 7,136,351MW/h, nga të cilat 5,091,616 MW/h u prodhuan nga HEC në pronësi të KESH dhe 2,044,735 MW/h u prodhuan nga HEC private dhe ato me koncesion.
Pavarësisht kontestimeve për ndikimin në ambient Ministria e Energjetikes ka vërshuar me dhënien e lejeve për ndërtimin e HEC-ve të vogla.
Qeveria Rama e ka liberalizuar edhe me tej këtë proces. Për çdo HEC me kapacitet deri në 2M vendos ministri i industrisë dhe Energjetikes, më parë vendimi për ndërtimin e tyre jepej nga qeveria. Nisur nga kjo lehtësi Ministria e Energjetikes vijoi dhënien e lejeve me intensitet të lartë gjatë 2016 dhe po vijon me të njëjtin ritëm edhe këtë vit.
Për herë të parë pas shumë vitesh Shqipëria ishte eksportues neto i energjisë, për shkak të reshjeve të bollshme dhe rritjes së prodhimit të energjisë nga shtimi i operatorëve të rinj në treg.