Mbledhja e fundit te qeverise ka pare nder te tjera edhe shfuqizimin e Vendimit Nr. 1068, Datë 23.12.2015, Të Këshillit të Ministrave“, për miratimin e bonus-it në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë, për ndërtimin e Hidrocentralit “Katundi i Ri” mbi Lumin Drini i Zi”.
Sa me sipër ka ardhur në mbështetje të nenit 113, të ligjit nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 25, të ligjit nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar.
Vendimi i Këshilli i Ministrave ka ardhur me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, pasi konsorciumi turk që mori përsipër të ndërtohte hidrocentralin e Skavicës është tërhequr nga tenderi.
Qeveria shqiptare vendosi dhënien me koncesion të ndërtimit të Katundit të Ri në 7 janar të këtij viti, 2 javë pasi kompania turke Suzer bëri një ofertë të pakërkuar, ku Këshilli i Ministrave i miratoi asaj edhe një bonus prej 8 pikësh si shpërblim për hartimin e projektit.
Ky ka qenë një nga koncesionet më të sulmuar për favorizim te firmës turke, pasi projekti ka qenë i studiuar disa herë, madje datonte që prej vitit 1960. Skavica është menduar si një hidrocentral i cili do të kishte të instaluar një fuqi prej 350 MWH dhe përveç ndërtimit të HEC-it do të krijonte një liqen të ri i cili do të shërbente për rritjen e efiçencës së prodhimit të gjithë kaskadës së Drinit.
Në 2007-ën, kompania TKG bëri një studim për korporatën elektroenergjitike dhe i dha asaj 3 alternativa zhvillimi. Qeveria shqiptare zgjodhi atë të ndarjes në dy HEC-e, katund i ri dhe Skavica 385, ku vlera e investimit shkonte në 110 milion euro dhe fuqia e hidrocentralit 70 MWH.
Por edhe pse njoftoi ambicien e saj për këtë vepër edhe në faqen e internetit, bashkimi i firmave Suzer dhe Nurol nuk ka dhënë asnjë detaj për tërheqjen nga ky projekt.